KFOR-i s’dëshiron të spekulojë për një largim nga ura e Ibrit

KFOR- ka deklaruar se nuk dëshiron të spekulojë për veprime të ardhshme nëse institucionet e Kosovës kërkojnë largimin e tyre nga ura mbi lumin Ibër, ndërsa Qeveria e Kosovës planifikon hapjen e saj për qarkullim

Makina të KFOR-it mbi urën e lumit Ibër. 6 gusht 2024, RFE.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenarë në të ardhmen” nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.

Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, që derivon nga Kombet e Bashkuara, për të kontribuuar për mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit nga komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, përfshirë edhe përmes pranisë fikse në urën e Mitrovicës dhe patrullimet e rregullta në zonën përreth”, tha një zëdhënës i KFOR-it për Radion Evropa e Lirë.

KFOR përsëriti qëndrimin se nuk do të ngurrojë që të ndërmarrë “çdo veprim të nevojshëm” për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Ndërkaq, ditëve të fundit autoritetet në Kosovë janë duke u bërë inspektime për hapjen e urës.

Një inspektim teknik për fuqinë mbajtëse të urës ishte paraparë edhe me marrëveshjen e arritur Kosovë- Serbi, si hap që duhet kryer para hapjes së saj për qarkullimin e automjeteve.

Vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

KFOR më herët ka thënë se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Përveç faktorit ndërkombëtar, edhe serbët lokalë dhe zyrtarët në Serbi janë deklaruar kundër hapjes së urës kryesore mbi Ibër.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika