Një instrument i lidhur ngushtë me një nga momentet më të njohura të karrierës së George Michael pritet të dalë në ankand në fund të tetorit.
Bëhet fjalë për kitarën Gretsch Synchromatic 160, të cilën ylli britanik i muzikës e përdori në videoklipin e hitit “Faith”, të publikuar në vitin 1987.
Instrumenti do të ofrohet për shitje më 29 tetor nga shtëpia e ankandeve Sworders, ndërsa vlera e tij është përllogaritur mes 60 mijë dhe 120 mijë paundëve, ose afërsisht 70 mijë deri në 140 mijë euro.
Kitara shoqërohet edhe nga kutia e saj origjinale, ku gjendet mbishkrimi “Rockabilly Rebel”, një referencë ndaj frymëzimit rockabilly të këngës “Faith”.
Instrumenti është pjesë e koleksionit të Siobhan Bailey, e cila për më shumë se dy dekada ka punuar si asistente personale e George Michael.
Përveç kitarës, në ankand do të ofrohen edhe një numër objektesh të tjera të lidhura me karrierën e këngëtarit, përfshirë disqe ari dhe platini, programe koncertesh dhe materiale nga turnetë e tij.
Në koleksion gjenden edhe materiale që lidhen me grupin Wham! dhe vizitën e tij historike në Kinë në vitin 1985. Një tjetër objekt i veçantë është një statujë metalike në formën e një fari, të cilën George Michael e kishte marrë nga autoritetet lokale të Malagas në vitin 1989.
Ndonëse u bë i famshëm në mbarë botën si këngëtar dhe kompozitor, Michael ishte edhe multi-instrumentist. Ai interpretoi vetë pjesë instrumentale në disa prej këngëve të tij të njohura, përfshirë “I Want Your Sex”, “Hard Day” dhe “Monkey”, si dhe në hitin e Wham!, “Last Christmas”.
Inxhinieri i muzikës Chris Porter kishte treguar se Michael shpesh preferonte t’i interpretonte vetë pjesët instrumentale, pasi kishte një ide të qartë për ritmin dhe tingullin që dëshironte të arrinte.
Ankandi vjen në një periudhë kur po përgatitet edhe publikimi i filmit “George Michael: The Faith Tour”, i realizuar nga pamje të papublikuara më parë të koncertit të tij në Paris më 1988.
Krahas filmit është paralajmëruar edhe një album live me 18 këngë.
Koleksioni i Siobhan Bailey do të ofrohet si në ankand fizik, ashtu edhe online, nga Sworders në Stansted Mountfitchet, Essex. Para ankandit, objektet do të ekspozohen për publikun nga 20 deri më 27 tetor në ambientet e shtëpisë së ankandeve në Londër.
