“Kokrrat e Rrushit Këndojnë”, këtë vit me edicionin e parë

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë "Kokrrat e Rrushit Këndojnë", këtë vit për publikun e Rahovecit do të sjellë artistë nga gjithë trevat shqiptare. Solistët e rinjë në këtë festival do t'i këndojnë rrushit ndërsa qëllimi i tij është krijimi i një vendi ku solistët e muzikës për fëmijë do të mund të shprehin talentin e tyre

Ilustrim

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë “Kokrrat e Rrushit Këndojnë”, do të mbahet në qytetin e Rahovecit, të shtunën e 17 shtatorit.

Ky festival është inciativë e drejtorit të shkollës së muzikës “Faik Syla” në Rahovec, Naser Dula, njëherësh edhe organizator i kësaj ngjarjeje.

Në një intervistë për portalin Duakgjini, organizatori i festivalit, ka treguar për emërtimin dhe ka thënë që ky festival ka qenë ide e tij e kahmotshme.

“Emërtimi i këtij festivali bazohet në traditën e lashtë që ka qyteti i Rahovecit, me kultivimin e hardhisë së rrushit ku në muajin shtator është festa e madhe ku fillon vjelja e tij”.

“Pra kjo ishte ide e imja e kahmotshme, por ja që këtë vit i erdhi momenti të realizohet dhe jam shumë i bindur që ky festival do ta pasurojë edhe më shumë festën e rrushit”, ka shtuar Dula.

Naser Dula, drejtor i shkollës së muzikës në Rahovec, njëherësh organizator i festivalit

Çfarë synoni të sjellni me këtë festival?

“Qëllimi i këtij festivali është krijimi i një vendi ku solistët e muzikës për fëmijë do të mund të gjenin veten dhe të shprehin talentin e tyre”.

“Përmes këtij festivali, Rahoveci mund të jetë në qendër të vëmendjes artistike muzikore gjithandej ku ka shqiptarë, dhe kjo do të ketë vlerën e vet të jashtëzakonshme dhe të shumanëshme. Përmes këtij festivali, qyteti i Rahovecit mund dhe duhet të ketë shkëmbime të solistëve të rinj mbarëkombëtar”, ka theksuar organizatori.

Ai më tej ka treguar se cila do të jetë veçantia e këtij festivali dhe çfarë do ta dallojë nga ngjarjet e tjera të këtij lloji.

“Duke marrë parasysh qyteti i Rahovecit ka disa festivale tradicionale të saj siç janë: Festivali i Rrushit ‘Hard Fest’, ‘Anadrinia Jehon’, ‘Konak’, ‘Rahoveci na Bashkon’, ‘Festivali i muzikës klasike Do Re Mi’ dhe tani edhe festivali tjetër me radhë ‘Kokrrat e Rrushit Këndojnë’, ku te ky festival është dallimi se çdo vit do t’i këndohet rrushit nga solistët e rinj mbarëkombëtarë, ku unë shpresoj shumë që festivali më i ri në qytetin e Rahovecit do të shndërrohet në një festival jetik dhe tradicional”, është shprehur Dula.

I pyetur se cilat moshat mund të marrin pjesë, ai ka thënë që pjesë e festivalit mund të bëhen fëmijët prej 6 deri në 13 vjet.

“Në këtë festival grupmoshat do të jenë prej 6 deri në 13 vjeç ku do të ndahen në kategori junior, mosha 6 dhe 7 vjeç, kategoria e parë mosha 8 deri në 10 vjeç, dhe kategoria e dytë mosha 11 deri në 13 vjeç”, ka theksuar ai.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë “Kokrrat e rrushit këndojnë”

Ndër të tjera ai ka thënë që festivali mbarëkombëtar “Kokrrat e Rrushit Këndojnë”, synon të bëhet festival tradicional në qytetin e Rahovecit, duke shtuar se ardhmëria jonë janë fëmijët, talentët e rinj.

Në këtë festival do të marrin pjesë solistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva dhe Bujanovci.

“Solistët do të kenë mundësi të kënaqen me pamjet që ofron qyteti i Rahovecit bashkë me plantacionet e vreshtave, që ndryshe ky vend cilësohet nga turistët ndërkombëtarë edhe si ‘Toskana e Kosovës’”, ka përfunduar organizatori i festivalit, Naser Dula.

Ndryshe, ky festival do të mbahet në muajin shtator në palestrën sportive “Mizahir Isma”.

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika