Komuna e Prishtinës ka publikuar një njoftim urgjent për qytetarët, pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për reshje të dendura shiu më 18–19 nëntor 2025, të cilat pritet të jenë me intensitet të lartë në disa zona të vendit.
Sipas njoftimit, reshjet mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në lokalitete të caktuara të kryeqytetit.
Ekipet e Komunës janë në terren dhe po monitorojnë situatën në kohë reale, ndërsa autoritetet thonë se janë të gatshme të ndërhyjnë aty ku paraqitet nevoja.
Komuna u bën thirrje qytetarëve që: të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik për vërshime dhe të raportojnë çdo situatë të pazakontë në numrat emergjentë të qytetit.
Në fund, theksohet se siguria e qytetarëve mbetet prioriteti kryesor i Komunës së Prishtinës.