Një ngjarje e rëndë kriminale është shënuar këtë pasdite në qytetin e Kavajës, ku një konflikt i dyshuar për motive të dobëta përfundoi me humbjen e jetës së një 47-vjeçari. Viktima ndërroi jetë në spital pasi u godit me thikë, ndërsa autori i dyshuar është shpallur në kërkim nga policia.
Sipas njoftimit zyrtar, më 21 shkurt 2026, rreth orës 14:22, në lagjen nr. 3 të Kavajës, shtetasi R. P., rreth 47 vjeç, banues në këtë qytet, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin S. I., po ashtu rreth 47 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, ky i fundit ka ndërruar jetë në spital.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit të dyshuar dhe po vijojnë operacionet për kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të çështjes.