Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, ka deklaruar se partia ka bërë tashmë “kompromisin e madh”, duke mos propozuar Albin Kurtin për kryeministër.
“Më shumë se kaq nuk ka mundësi, sepse po e prezantojmë një Qeveri ku kryeministër nuk është Kurti, dhe ky është kompromis i madh. Tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, ka thënë Konjufca.
Ai ka akuzuar partitë opozitare se janë bashkuar për t’ia pamundësuar Kurtit formimin e qeverisë së re.
“Populli shumë shpejt pret të rikthehesh më fuqishëm se në vitin 2021”, iu drejtua Konjufca Kurtit gjatë fjalës së tij.
Sipas tij, interesi publik aktual ndahet në dy qëllime kryesore të Vetëvendosjes: shmangien e dy zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe miratimin e buxhetit për vitin 2026.