Ministria e Financave ka njoftuar se sot janë nënshkruar dy marrëveshje me Bankën Botërore, në vlerë totale prej 96 milionë euro, me synim forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë.
Sipas njoftimit, marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP) në vlerë prej 50 milionë euro, si dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), që përbëhet nga një kredi prej 35 milionë euro dhe një grant prej 12 milionë euro.
Ministria bën të ditur se këto projekte synojnë mbështetjen e reformave strukturore dhe investimeve strategjike, në përputhje me standardet e Bashkimi Evropian.
Në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Sektorit Financiar parashihet themelimi dhe funksionalizimi i Bankës Zhvillimore, kapitalizimi i institucioneve financiare, zgjerimi i instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimi i infrastrukturës moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.
Ndërkaq, Projekti për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik të vendit, duke përmirësuar qasjen në financa për bizneset dhe rritur efikasitetin e tregtisë.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Bankës Botërore, Xiaoqing Yu, ka vlerësuar bashkëpunimin me Ministrinë e Financave dhe ka shprehur optimizëm për zbatimin në kohë të projekteve, duke riafirmuar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Ministria e Financave thekson se këto marrëveshje pritet të kontribuojnë në modernizimin e ekonomisë, lehtësimin e aktivitetit tregtar dhe përshpejtimin e integrimit ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë.
