Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur një fitore të madhe dhe historike, duke mposhtur Sllovakinë në gjysmëfinalen e plejofit dhe duke siguruar kalimin në finalen për kualifikim në Botërorin 2026.
“Dardanët” triumfuan me rezultat 4:3 në një ndeshje dramatike të zhvilluar në Stadiumin Nacional në Bratislavë, duke përmbysur disavantazhin.
Ndeshja nisi me vështirësi për Kosovën, pasi vendasit kaluan në epërsi që në minutën e gjashtë me golin e Martin Valjent. Megjithatë, reagimi i Kosovës ishte i menjëhershëm, me Veldin Hoxhën që barazoi shifrat në minutën e 21-të me një supergol nga distanca.
Sllovakia riktheu avantazhin në fund të pjesës së parë me Lukas Haraslin, duke e mbyllur 45-minutëshin e parë me rezultat 2:1.
Në pjesën e dytë, Kosova u shfaq shumë më agresive dhe e vendosur për ta kthyer ndeshjen. Fisnik Asllani barazoi në minutën e 47-të pas një asistimi nga Mërgim Vojvoda, ndërsa vetëm pak minuta më vonë Florent Muslija realizoi një supergol nga gjuajtja e lirë për epërsinë 3:2.
Golin e qetësisë dhe të fitores e shënoi Kreshnik Hajrizi në minutën e 72-të. Ndërkaq, në minuat shtesë Sllovakia shënoi për rezultatin 4:3.
Me këtë fitore, Kosova siguron finalen e plejofit, e cila do të zhvillohet në Prishtinë më 31 mars, ku “Dardanët” do të përballen me Turqinë për një vend në Botërorin 2026.