Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një punëtori me Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (ZEKKZ), ku është diskutuar për përgatitjet dhe sfidat e procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Në takim, ku morën pjesë anëtarë të KQZ-së dhe përfaqësues nga të gjitha komunat, u shqyrtuan detajet kryesore të fazave të organizimit të zgjedhjeve, si dhe sfidat që hasen në nivel lokal.
Punëtoria është mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e koordinimit mes KQZ-së dhe strukturave lokale, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe respektimin e procedurave ligjore e rregullative.
KQZ ka bërë të ditur se tashmë ka emëruar 215 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 38 komuna të vendit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike dhe që do të udhëheqin procesin në nivel lokal.
Sipas KQZ-së, këto tryeza shërbejnë për të siguruar një proces të koordinuar dhe të suksesshëm zgjedhor, me komunikim të vazhdueshëm mes të gjitha niveleve organizative.