Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka përkujtuar ish- të burgosurit politik.
Përmes një postimi ai ndau dhe rrëfimin e Salihe Salihut, e cila ishte ish e burgosur politike dhe ishte burgosur kur ishte vetëm 15 vjeç.
Krasniqi ka thënë se ka shumë rrëfime të ngjashme që e kanë vuajtur represionin e vazhdueshëm serb.
“Në kuadër të Javës së Pavarësisë, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm, Bajrush Xhemajli, takova Kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefik Sadiku dhe ish të burgosur të tjerë politik, veprimtarë të shquar, Hydajet Hyseni, Meriman Braha, Selatin Novosella, Ilmi Ramadani, Xhevat Bislimi, Lumnie Azemi-Morina, Salihe Salihu, Berat Luzha, Zymer Neziri e Xhemajl Pllana, të cilëve u shpreha mirënjohjen e thellë për kontributin e madh dhe sakrificën në rrugën e çlirimit”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka shtuar se falë veprimtarisë së tyre, “sot jemi në prag të festimit të 15 vjetorit të pavarësisë së shtetit tonë, në të cilin kemi nevojë më shumë se kurrë të besojmë, mos ta braktisim dhe të punojmë çdo ditë për të”.
“Kjo Shoqatë, e cila ka mijëra anëtarë ish të burgosur politik, meriton kushte më të mira dhe mbështetje të vazhdueshme dhe të garantuar nga shteti”, ka potencuar Krasniqi.
Tutje Krasniqi ka theksuar se duke ndërtuar një shtet të fuqishëm dhe prosperues, “do të jetësojmë edhe idealin shumëvjeçar të atyre që sakrifikuan gjithçka për Kosovën”.