Lirim Krasniqi, nga organizata joqeveritare GERMIN, ka njoftuar se votimi i diasporës në përfaqësitë diplomatike është realizuar me sukses për herë të parë.
Procesi, i cili u zhvillua të dielën, ka kaluar pa parregullsi dhe është përmbyllur në 19 shtete, në gjithsej 30 përfaqësi diplomatike, duke përfshirë ambasadat dhe konsullatat.
Sipas Krasniqit, më shumë se 70% e votuesve të regjistruar paraprakisht kanë ushtruar të drejtën e votës.
Nga 20,300 qytetarë të regjistruar, mbi 15,000 kanë votuar.
Ai ka theksuar se votat nga diaspora do të arrijnë në 100 mijë, që pritet të jetë pjesëmarrja më e lartë ndonjëherë.
“Diaspora për herë të parë ka votuar në përfaqësi diplomatike një proces që është organizuar ditën e djeshme, ka shkuar shumë mirë nuk ka pasur parregullsi. Procesi është përmbyllë suksesshëm në 19 shtete në 30 përfaqësi diplomatike qofshin ato konsullata ose ambasada. Dhe përqindja e votuesve ka kaluar mbi 70 për qind të personave të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar në këto përfaqësi diplomatike. Votuesit nga diaspora kanë pasur mundësinë se ku të votojnë, rreth 20 mijë e 300 kanë qenë të regjistruar për të votuar dhe prej tyre mbi 15 mijë kanë arritur ta ushtrojnë të drejtën e votës”, ka deklaruar ai për TV Dukagjinin.
Ai gjithashtu ka përmendur se, përveç votimit fizik, ka pasur një numër të konsiderueshëm të votave me postë, që nga 9 janari, me mbi 50,000 zarfe që janë dërguar në kutitë postare të hapura nga KQZ-ja.
Krasniqi ka theksuar se numri i përgjithshëm i votave të diasporës ka arritur rreth 65,000, duke përfshirë edhe votat me postë, dhe përmendi se pjesëmarrja është më e lartë sesa në vitin 2021, falë mundësive të zgjeruara për votim.
“Ndërkohë krahas procesit të votimit fizik, që nga 9 janari është zhvilluar edhe procesi i votimit me post, dhe nga informacionet preliminare që i kemi prej KQZ mbi 50 mijë votues ose zarfe me fletëvotime janë dërguar në kutitë postare të hapura nga KQZ-ja. Po flasim për diku mbi 65 mijë vota të diasporës prej 103 mijë të regjistruar. Votat me post duhet të vlerësohen dhe verifikohen, pjesëmarrja është më e lartë sesa në vitin 2021. Arsyeja është për shkak se janë ofruar më shumë mundësi për votim”, ka deklaruar Krasniqi.