Kritikët e qeverisë së Serbisë në shënjestër të hakerëve të sponsorizuar nga vetë shteti serb 

Në Serbi, kritikët e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe të qeverisë serbe janë shënjestruar nga spyware të nivelit ushtarak. Dy aktivistë pro demokracisë u përpoqën të hakoheshin, por një përditësim i softuerit në iPhone-ët e tyre parandaloi sulmin

Kritikët e qeverisë së Serbisë në shënjestër të hakerëve të sponsorizuar nga vetë shteti serb (Ilustrim)

Pas disa raportimeve në media opozitare dhe kundër regjimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se kritikët e Qeverisë së Serbisë janë shënjestër e hakerëve dhe spyware të nivelit ushtarak, kësaj “përndjekjeje” i ka kushtuar një artikull edhe prestigjiozja britanike “The Guardian”.

Shënim: Spyware mund përkufizohet lirshëm si softuer dashakeq, i krijuar për të hyrë në pajisjen tuaj kompjuterike, për të mbledhur të dhëna rreth jush dhe për t’i dërguar ato te një palë e tretë pa pëlqimin tuaj.

“Kritikët e qeverisë nacionaliste të Serbisë, të cilët kanë dokumentuar korrupsionin endemik të vendit, janë shënjestruar me spyware të nivelit ushtarak në fillim të këtij viti, sipas gjetjeve të reja nga studiuesit e sigurisë”, shkruan “The Guradian”.

Përpjekja për hakimin e dy aktivistëve pro demokracisë dhe kundër Qeverisë në krye me Ana Bërnabiq, – të cilët kanë kërkuar të jenë anonim për të mbrojtur sigurinë e tyre – përfundimisht nuk ishte e suksesshme, sepse iPhone-ët e Apple të të dy individëve ishin përditësuar me softuerin më të fundit iOS, për të cilin studiuesit thanë se mbronte pajisjet nga infiltrimi.

Individët u njoftuan fillimisht për tentativën e hakimit nga Apple, e cila u dërgoi të dyve një alarm se mund të ishin shënjestruar nga një aktor i sponsorizuar nga shteti.

Paralajmërimi u konfirmua më vonë pas hetimeve nga studiuesit në Access Now, Fondacioni Share në Serbi, Citizen Lab në Shkollën Munk në Universitetin e Torontos dhe Amnesty International.

Këto gjetje vijnë vetëm disa muaj, pasi studiuesit zbuluan se gazetarët rusë që janë kritikë ndaj Vladamir Putinit dhe që jetojnë në Bashkimin Evropian (BE) ishin shënjestruar gjithashtu me spyware.

Këshilltarja juridike në “Access Now”, Natalia Krapiva, i tha mediumit britanik se “këto gjetje janë jashtëzakonisht shqetësuese për sundimin e ligjit dhe demokracinë në Serbi. Përdorimi i pakontrolluar i spyware komercial është helm, jo vetëm për të drejtat e njeriut, por edhe për sigurinë dhe institucionet demokratike në çdo vend”.

Studiuesit zbuluan se serbët ishin shënjestruar rreth një minutë larg njëri-tjetrit, rreth datës 16 gusht 2023.

Access Now dhe Citizen Lab zbuluan gjurmë të tentativës së sulmit, i cili kërkonte të përfitonte nga një dobësi e mundshme në aplikacionin “HomeKit” të iPhone.

Studiuesit në rastin serb nuk mund të konfirmojnë përfundimisht se çfarë lloj spyware është përdorur, sepse treguesit e disponueshëm mjekoligjorë ishin të kufizuar.

“Ne nuk po ia atribuojmë këto sulme një operatori të caktuar në këtë kohë, por vërejmë se një dekadë e hetimeve të Citizen Lab kanë zbuluar se Serbia është një klient i rregullt për spyware mercenar dhe teknologji të tjera të mbikëqyrjes komerciale,” ka thënë John Scott-Railton, studiues në Citizen Lab.

Ndërsa, studiuesit nuk mund t’i atribuojnë përfundimisht tentativat për sulme në Serbi me një spyware specifik, sulmet e tentuara ka të ngjarë të ripërtërijnë fokusin në gjetjet e kaluara që përfshijnë mbledhjen dhe mbikëqyrjen e fshehtë të të dhënave nga Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA). Drejtori më i fundit i BIA-s ishte Aleksander Vulin, i cili u vendos në një listë sanksionesh nga Thesari i SHBA-së në korrik 2023 për mbështetjen e tij ndaj Moskës dhe për përdorimin e pozicioneve të tij politike për të ndërtuar mbështetje për aktivitetet malinje të Rusisë.

Një viktimë e supozuar e tentativës së hakimit, e cila u intervistua nga mediumi britanik, e përshkroi punën e tyre si të përqendruar në të qenit kritik ndaj “regjimit autokratik” të Serbisë dhe të “korrupsionit të përhapur” të vendit, si dhe të politikës së jashtme proruse të qeverisë aktuale, e cila nuk ka një linjë me BE-në për çështje të tilla si sanksionet kundër Moskës.

Përpjekja për hakim, tha personi, ka të ngjarë të ishte një përpjekje për të frikësuar ose diskredituar punën e tyre, “për të gjetur diçka komprometuese kundër meje”.

Të dy individët që u vunë në shënjestër besonin se tentativat për hakmarrje mund të kishin qenë gjithashtu të lidhura me thirrjet për hetime zyrtare mbi trajtimin nga qeveria të një sulmi masiv që la 17 persona – përfshirë fëmijë – të vdekur verën e kaluar.

Demonstratat masive shpërthyen pas të shtënave, me protestuesit që dënuan presidentin populist Aleksandar Vuçiq, i cili u fajësua për krijimin e përçarjeve brenda vendit që disa pretenduan se çuan në të shtënat masive.

Qeveria serbe nuk iu përgjigj kërkesave për koment nga “The Guardian”.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika