Kroacia është gati ta kapërcejë pengesën përfundimtare për ta adoptuar euron

Kroacia pritet të jetë vendi i 20-të nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që do të jetë pjesë e eurozonës dhe do ta ketë euron si valutë të saj, kështu ka bërë të ditur Komisioni Evropian

Flamuri i Kroacisë dhe i BE-së

Bashkimi Evropian ka vendosur të martën t’i heqë pengesat përfundimtare ndaj Kroacisë për ta adoptuar valutën e euros, duke mundësuar kështu zgjerimin e parë të kësaj monedhe pas pothuajse një dekade. Ndërkaq, kohëve të fundit, euro ka rënë në nivelin më të ulët ndaj dollarit në 20 vjet.

Ministrat e financave të BE-së, planifikojnë të miratojnë tri ligje që do t’i hapin rrugën Kroacisë që më 1 janar të bëhet anëtarja e 20-të e eurozonës. Vendi i fundit i BE-së që iu bashkua eurozonës ishte Lituania në vitin 2015, raporton AP.

Adoptimi i euros ofron përfitime ekonomike që rrjedhin nga lidhjet më të thella financiare me anëtarët e tjerë të bllokut të monedhës dhe nga autoriteti monetar i Bankës Qendrore Evropiane. Banka planifikon të rrisë normat e interesit për herë të parë në 11 vjet këtë muaj për të luftuar inflacionin rekord prej 8.6%.

Në mënyrë më të prekshme, kjo do të thotë se asnjë nga 340 milionë banorët aktualë të eurozonës që vizitojnë Kroacinë nuk do të kenë më nevojë të shkëmbejnë paratë e tyre për kunën kroate, e cila aktualisht është monedha zyrtare e Kroacisë.

Hyrja në eurozone ka edhe shpërblime politike, sepse valuta e përbashkët është projekti më ambicioz i Evropës për të integruar kombet, duke u dhënë atyre një vend në BE. Kjo do të thotë, po ashtu, një vend në tavolinat më të larta vendimmarrëse të BE-së.

Valuta kroate kuna dhe valuta e euros

Ndryshimet vijnë pasi të martën kursi i këmbimit të euros u barazua me 1 dollarë për herë të parë në dy dekada. Ekziston frika se një krizë e përkeqësuar energjetike në Evropë, e lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë, mund ta çojë ekonominë në një kaos.

E krijuar në vitin 1999 nga 11 vende duke e përfshirë Gjermaninë dhe Francën, euro ka kaluar shtatë zgjerime në të kaluarën, duke filluar me Greqinë në vitin 2001.

Apeli i anëtarësimit në euro reflektohet nga tri zgjerimet e fundit, të cilat sollën shtetet baltike midis 2011 dhe 2015. Gjatë asaj periudhe, eurozona po përpiqej ta frenonte një krizë borxhi që Greqia kishte shkaktuar dhe që po kërcënonte ta shpërbënte aleancën e monedhës .

Një kombinim i huave emergjente evropiane për pesë vende anëtare financiarisht të cenueshme dhe një premtim i BQE-së për të bërë “çfarëdo që duhet” për të shpëtuar euron i mundësoi bllokut të euros t’i përballonte turbulencat dhe të dilte më i fortë.

Anëtarësimi në euro kërkon që një vend të plotësojë një sërë kushtesh ekonomike. Këto lidhen me inflacionin e ulët, financat publike të shëndosha, një kurs këmbimi të qëndrueshëm dhe kostot e kufizuara të huamarrjes.

Një euro, ilustrim

Kroacia është vend i vogël dhe relativisht i varfër, kështu që hyrja e saj në euro do të ketë implikime të kufizuara ekonomike ndërkombëtare. Vendi ka një popullsi prej rreth 4 milionë banorësh dhe një pasuri për kokë banori që, me 13,460 euro (13,500 dollarë) vitin e kaluar, ishte më pak se gjysma e mesatares së eurozonës.

Megjithatë, në sfondin e luftës ruse në Ukrainë dhe aplikimit të nxituar të Kievit për anëtarësim në BE, adoptimi i afërt i euros nga Kroacia dërgon një sinjal politik potencialisht të rëndësishëm.

Kroacia ishte vetë në luftë në fillim të viteve të ’90-ta, gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Vendi aplikoi për anëtarësim në BE në 2003 dhe u bashkua me BE më 2013. Kjo ishte hera e fundit që BE u zgjerua.

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika