Kryeministri i entitetit të Bosnje e Hercegovinës, Republika Srpska, Savo Miniç, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Ai e bëri të ditur vendimin gjatë një konference për media të mbajtur më 16 mars në Banjallukë.
Miniç deklaroi se për këtë vendim është konsultuar me presidentin e Republikës Srpska, Sinisha Karan, duke shtuar se ai pritet ta propozojë sërish si mandatar për formimin e qeverisë së re. Kryeministri në largim, i cili është anëtar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), partia e udhëhequr nga Millorad Dodik, tha se gëzon mbështetjen e shumicës në Kuvendin Popullor të Republikës Srpska raporton REL përcjell Dukagjini.
Sipas tij, dorëheqja është ndërmarrë për të siguruar legalitetin dhe legjitimitetin e Qeverisë, duke përmendur se ka pasur edhe kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kuvendi Popullor i Republikës Srpska pritet ta shqyrtojë dorëheqjen e tij gjatë një seance të jashtëzakonshme të thirrur po atë ditë, menjëherë pas konferencës për media.
Kjo është hera e dytë brenda disa muajsh që Miniç jep dorëheqje dhe paralajmëron se do të jetë sërish kandidat për formimin e Qeverisë së këtij entiteti. Ai më parë kishte shërbyer si ministër i Bujqësisë në Republikën Srpska, ndërsa u emërua kryeministër më 2 shtator të vitit të kaluar.
Më 23 janar, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës vendosi se qeveria e formuar nga Miniç nuk ishte kushtetuese, pasi mandati i tij ishte propozuar në gusht nga Millorad Dodik, i cili në atë kohë pretendonte se ishte president i Republikës Sëpska.
Sipas Kushtetutës së entitetit, mandatarin për kryeministër mund ta propozojë vetëm presidenti i Republikës Sëpska, ndërsa Dodikut i ishte ndaluar ushtrimi i funksioneve publike për gjashtë vjet, pas një vendimi gjyqësor për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Disa ditë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Miniç kishte dhënë dorëheqje dhe ishte propozuar sërish për mandatar nga ushtruesja e detyrës së presidentes së RS-së, Ana Trishiç Babiç, duke u rikthyer në postin e kryeministrit.
Megjithatë, deputetët e Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) dhe Frontit Demokratik në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës iu drejtuan sërish Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e këtij emërimi. Ata argumentojnë se emërimi i kryeministrit nga një ushtruese detyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit, të garantuar nga Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës.
Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Ndërkohë, nënkryetari i Republikës Sëpska, Qamil Durakoviç, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të entitetit të vlerësojë kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Ana Trishiç Babiç, duke theksuar se Kushtetuta e Republikës Sëpska nuk e njeh funksionin e ushtruesit të detyrës së presidentit.
Më 25 shkurt, Gjykata Kushtetuese e Republikës Sëpska vendosi të pezullojë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së emërimit të saj.
