Kurti e Limaj “kafe” larg mediave, kreu i socialdemokratëve “ka vota” edhe në PDK

Larg mediave është mbajtur takimi i paralajmëruar ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Derisa pas takimit asnjëra nga partitë nuk dhanë qëndrime, para tij deputetë të dy partive u shprehën optimistë për arritjen e një marrëveshjeje, me gjithë dallimet. Pati deputet të PDK-së, që shprehën gatishmëri të votojnë Limajn, nëse ai propozohet për kryetar Kuvendi

Pa treguar vendin dhe kohën, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mbajtën një takim larg syve të mediave, pasditen e së shtunës.

Pavarësisht përpjekjeve të Dukagjinit, asnjëra nga partitë nuk dhanë qëndrim pas takimit.

Në mëngjes, Kurti nuk tha asnjë fjalë.

Para takimit, deputeti Artan Abrashi tha se nuk mund të ketë marrëveshje vetëm për Kuvend pa përfshirë ndarjen e posteve ekzekutive, por u shpreh optimist për krijimin e Qeverisë së re Kurti, javën e ardhshme.

“Po besoj dhe shpresoj, sepse kështu është edhe vullneti i qytetarëve, edhe vullneti i shumicës së deputetëve të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Artan Abrashi, Deputet i LV-së.

Po ashtu, para takimit diskret, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret guxim dhe vullnet politik nga Kurti, marrë parasysh rrethanat aktuale dhe afatin kushtetues për konstituim të Kuvendit.

Teksa tha se Limaj do t’i merrte votat e nevojshme për kryeparlamentar, ajo tregoi se oferta e tyre është e përqendruar te udhëheqja e Kuvendit, ndërsa Lëvizjes Vetëvendosje i mbetet udhëheqja e Qeverisë.

“Mendoj që është një zgjidhje e mirë dhe në momentin kur ti e ke të mundshme, si faktor i vetëm aktual, si alternativë e vetme, është demokratike nëse i jep vendit një mundësi me shku te ofrimi i zgjidhjes së ngërçit politik. Sepse, nuk ka tjetër altnernativë, a shihni ju një alternativë tjetër. Pra Nisma e ka kuptu qysh në fillim këtë situatë, edhe pse është e vogël me numra, është mundësia reale, është alternativa e vetme me zgjidhë ngërçin politik”, ka thënë Xhevahire Izmaku, Deputete e Nismës Socialdemokrate.

Derisa kreu i PDK-së, Memli Krasniqi nuk dha përgjigje të prerë, deputetë të kësaj partie kanë qëndrime të ndryshme lidhur me propozimin eventual të Limajt për kryetar të Kuvendit.

“Mendoj që Partia Demokratike do e votoj Fatmir Limajn për kryeparlamentar”, ka thënë Jakup Nura, Deputet i PDK-së.

“Nuk kam votë për Fatmir Limajn. Nuk e meriton votën time. Kam deklaruar se para fushatës kanë folur mjaft rëndë për Albin Kurtin, dhe kështu që tani pas fushatës e vlerësojnë Albinin”, ka thënë Nait Hasani, Deputet i PDK-së.

Pasi tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka dhënë alternativat, deputeti Lahi Brahimaj konfirmoi votën kundër Limajt në çfarëdo skenari.

“Zotin Limaj, jo. (Pse?) Se do të ishte fer, do të ishte e ndershme sikur ka bë një marrëveshje me Aleancën, të thoshte, unë këtu po i ndajë rrugët, por jo me informohemi nëpërmjet mediave. Ata veç kanë në parim një marrëveshje edhe me Listën Serbe, e shihni çdo seancë pas përfundimit, Lista Serbe, z. Limaj dhe Vetëvendosja e lëshojnë sallën, ndërsa ish opozita qëndron në sallë”, ka thënë Lahi Brahimaj, Deputet i AAK-së.

Të premten, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, parti që ka tre deputetë, pati një takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani.

Shija e redaktorit

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Të fundit nga rubrika