Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se brenda kësaj jave pritet të përfundojnë opinionet ligjore dhe vlerësimi financiar lidhur me iniciativën ligjore të Grupit Parlamentar të PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se iniciativa i është drejtuar Zyrës Ligjore në Kryeministri, e cila ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë dhe Departamenti për Buxhet në Ministrinë e Financave.
“Tash kemi një iniciativë ligjore nga Grupi Parlamentar i PDK-së kjo është çështje e Kuvendit të Kosovës që i është drejtuar zyrës ligjore për opinion në Kryeministri, tash Zyra Ligjore ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë gjithashtu edhe nga departamenti për buxhet në Ministrinë e Financave – kjo është procedura e rregullt qysh bëhet me secilën iniciativë ligjore prej informimeve që kam brenda kësaj jave do të kemi përgjigjen edhe si mendim të Zyrës Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë gjithashtu edhe vlerësimin financiar dhe menjëherë do i japim përgjigjen Kuvendit dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura”, u shpreh Kurti.
Kurti foli edhe për komunikimin me liderët opozitarë, Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së, lidhur me zhvillimet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
Kurti përmendi edhe deklaratën e miratuar të hënën në Kuvend me 99 vota pro, përmes së cilës, sipas tij, është shprehur shqetësimi për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas tij, në këtë proces duhet të përfshihen ekspertë juridikë për të kontribuar në përgatitjen e procesit të Apelit.
“Jam në komunikim të drejtëpërdrejt me dy liderët e partive opozitare, nuk kemi ndërmjetës, me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, është një vendim për tu përshëndetur ai i së hënës kur me 99 vota për u miratua deklarata për aktgjykimin e Dhomave të Specialuzaura në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Aty kemi shprehur shqetësimin tonë të thellë më aktgjykimin e padrejtë në shkallë të parë dhe zotimin tonë për strategji të përbashkët shtetërore drejtë Apelit kur duhet të dalin triumfues – është e rëndësishme ti mbledhim energjitë dhe ‘kokat’ e fushës së caktuar dhe kjo është përgjithësisht ekspertize juridike që në Apel të bëhen korrigjimet e nevojshme dhe të triumfoi drejtësia”, u shpreh Kurti.