Gjatë mbrëmjes të së enjtes, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë, disa metra pranë kufirit me Kosovën – teksa publikoi edhe video të forcave serbe.
Në lidhje me këtë, Kurti në një konferencë për media ka thënë se nëse dëshirohet normalizimin të marrëdhënieve mes dy vendeve, ushtria rrin në kazerma dhe jo në kufi.
Kurti siguroi se gjithçka është në vëzhgim dhe në gjendje gatishmërie.
“Së pari kur ka situata të këtilla, kur cenohet siguria, meqenëse se automjetet ushtarake afrohen vetëm disa metra larg kufirit, ne e përcjellim me vëmendje se a mos po synojnë të kalojnë kufirin. Mandej janë protokollet e sigurisë, janë planet operative strategjike dhe janë në komunikim të vazhdueshëm Ministria e Brendshëm, Ministria e Mbrojtjes dhe AKI-ja. Gjithçka është nën vëzhgim dhe në gjendje përgatitore dhe gatishmërie për çfarëdo befasi që mund të na ndodhë.
Në ndërkohë natyrisht që këto institucione diskutojnë bashkë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë edhe KFOR-in edhe EULEX-in edhe NATO e BE-në”, ka deklaruar i pari i Qeverisë.
Gjithashtu, Kurti ka thënë se deri tash s’ka pasur informacione se janë afruar sërish – sikur dje – dhe se ushtrimet ushtarake nuk mbahen “10 metra prej kufirit”
“Tash deri në orën 16:00 nuk ka asnjë dëshmi që sot janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrime ushtarake, por ushtrimet ushtarake nuk mbahen 10 metra prej kufirit. Pra, ata po vijnë në atë zonën sigurisë, shumë afër kufirit, ku nuk ka nevojë as për dronë e as për dylbi për t’u parë më njërit eterin. Nëse dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve ushtria rrinë në kazerma, nuk vjen te kufiri ushtria. As ushtarët, as automjetet, deri më tash dita e sotme do të jetë ndryshe prej asaj të djeshme”, ka thënë Kurti.
Në lidhje me këtë, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ShBA ia ka bërë të ditur Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.
O’Brien, në një bashkëbisedim me gazetarët online, ka thënë se një lëvizje eventuale prej forcave të Serbisë do të konsiderohej prej ShBA-së si rrezikim i forcave të NATO-s “që janë në Kosovë për t’i mbrojtur shqiptarët dhe serbët”.
“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”, ka deklaruar O’Brien.
Edhe misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar lidhur me patrullimin e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
KFOR ka thënë se për momentin situata është e qetë, por mbetet e brishtë.
Kurti publikon video, forcat e armatosura serbe shihen afër kufirit të Kosovës
“Pas tensioneve të fundit, ne dislokuam rreth 1000 trupa shtesë në Kosovë dhe rritëm qëndrimin e KFOR-it në veri të Kosovës. Gjithashtu kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Prandaj, KFOR-i ka një prani fleksibil dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson misionit tonë të monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’i përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt dhe të sigurt. Qëllimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.