Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e filozofit gjerman Jurgen Habermas, duke e cilësuar atë si një nga mendimtarët më të shquar bashkëkohorë dhe një zë të rëndësishëm në debatin publik evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se Habermasi do të kujtohet si një intelektual që dha kontribut të madh në fusha të ndryshme të mendimit filozofik dhe politik.
Sipas tij, për shqiptarët, filozofi gjerman u bë veçanërisht i njohur për qëndrimet e tij gjatë luftës në Kosovë, kur argumentoi se ndërhyrja ushtarake e NATO kishte legjitimitet moral, edhe pse nuk ishte e autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Kurti kujtoi se në fund të shekullit të kaluar, kur kosovarët po përballeshin me një kërcënim ekzistencial nga Jugosllavia e atëhershme, respektivisht Serbia e udhëhequr nga Slobodan Miloseviq, opinioni ndërkombëtar ishte i ndarë për ndërhyrjen e NATO-s.
Ai ka shtuar se filozofi gjerman kishte argumentuar gjithashtu se kjo ndërhyrje duhej të shërbente si shtysë për reformimin e sistemit ndërkombëtar, në mënyrë që parandalimi dhe ndëshkimi i gjenocidit të bëhej një detyrim i qartë ligjor për bashkësinë ndërkombëtare.
Sipas Kurtit, Habermasi kishte theksuar se tragjedia e kosovarëve nuk duhet të përsëritet dhe se bota duhet të ecë drejt asaj që ai e quante “kushtetutëzim” të ligjit ndërkombëtar.