Kurti: Serbia kishte qëllim zhdukjen fizike të të burgosurve politikë në Burgun e Dubravës

Në hapësirat e burgut të Dubravës, të hënën e 22 majit, është përkujtuar 24-vjetori i masakrës së Dubravës, në të cilën, regjimi gjenocidal serb vrau e plagosi qindra të burgosur shqiptarë.

Pjesë e ceremonisë përkujtimore ishin edhe krerët e shtetit, të cilët theksuan nevojën që kriminelët serbë të dalin para drejtësisë për këtë masakër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia e bëri burgun e Dubravës njëlloj kampi të përqendrimit të të burgosurve politikë shqiptarë.

Ai tha se institucionet e Kosovës asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për këtë masakër.

“Serbia e bëri burgun e Dubravës njëlloj kampi përqendrimi politik të të burgosurve politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në burgun e Dubravës në mes 19-24 majit… Ardhja jonë këtu është një vëmendje e obliguar dhe një kujdes i domosdoshëm për trashëgimin e luftës 1997-1999, për drejtësinë dhe përpara historisë”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se masakra e Dubravës dëshmon gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“Burgu për nga definicioni është institucion që 100 për qind kontrollohet prej shtetit. Këtu mbi 1000 mijë të burgosur shqiptarë ishin drejtpërdrejt në dorën e shtetit serb. Ata pikërisht në këtë hapësirë u grumbulluan dhe masakra filloi… Ndonëse kanë kaluar 24 vjet dhe përgjegjësia është askund më e qartë se këtu se shteti serb drejtpërdrejt përgjegjës për këtë masakër, shumë pak është bërë për drejtësi. Drejtësi ende nuk ka fatkeqësisht”, tha ai.

Në anën tjetër, i mbijetuari i kësaj masakre, Nait Hasani, tha se Serbia me paramendim kreu vrasjet e të burgosurve politikë shqiptarë.

Ai pati edhe një porosi për kryeministrin Albin Kurti, që të kërkojë nga Prokuroria të ngre aktakuza ndaj kriminelëve serbë që kanë marrë pjesë në këtë masakër.

“Kjo masakër ka ndodhur me paramendim nga shteti serb, e cila ishte planifikuar në përpikëri si të realizohen vrasjet e të burgosurve shqiptarë. Më 26 prill 1999, nga burgu i Mitrovicës na morën na vendosën në burgun e Nishit për tri ditë nën torturat çnjerëzore. Pastaj me autobus më 30 prill, na sollën këtu në burgun e Dubravës. Nga 30 prilli deri me 19 maj mbushën pavijonet me të burgosur nga të gjitha burgjet e Kosovës. Me këto veprime shihet qëllimi i qartë vrasës i shtetit dhe pushtetit serb… Ju shoku ynë i burgosur, kryeministër Albin Kurti dhe Ministria e Drejtësisë kërkoni nga Prokuroria të ngre kallëzime penale kundër kriminelëve serbë për krime lufte në burgun e Dubravës ndaj të burgosurve shqiptarë”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Dugolli, tregoi për nismën e tij që Gjykata Speciale ta trajtojë masakrën e Dubravës.

“Kam nisur një kërkesë ndaj Dhomave të Specializuara me të dhëna të sakta se çka ka ndodhur këtu. Pjesën e parë e kam nisur në bashkëpunim me juristë të çmuar të fushës, të cilët e kanë arsyetuar në detaje arsyeshmërinë se Gjykata Speciale ka juridiksion për të trajtuar edhe masakrën e Dubravës”, tha ai.

24 vjet më parë në Burgun e Dubravës ndodhi njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviq, me ç`rast në periudhën 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë.

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush./KSP

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika