Kurti: Sot e përmbushim vizionin e Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti në 25-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari ka thënë se ai "është gjallë edhe sot, veçanërisht sot, veçanërisht te ju ushtarët e FSK-së"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 25-vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari ka thënë se përvjetori i parë i kësaj ngjarjeje ishte shënuar me moton “Ai është gjallë”, “përpara se të vinte prapë marsi dhe kjo ceremoni të bëhej e përvjetshme dhe të shënohej me emrin “Epopeja e UÇK-së”.

“Në këtë 25-vjetor të Epopesë të UÇK-së le të kujtojmë fillet e kësaj tradite përkujtimore të nisur me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1999, kur ushtarët e UÇK-së për herë të parë thanë “Ai është gjallë”, ka thënë Kurti.

“Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot, veçanërisht te ju ushtarët e FSK-së”.

Në këtë ceremoni përkujtimore, Kurti ka folur dhe për ushtarët, oficerët dhe nënoficerët e FSK-së. “Sa herë që e veshni uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, kryekomandantit të UÇK-së”, ka theksuar Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka potencuar se sot është përmbushur vizioni i atëhershëm i komandantit legjendar Adem Jashari, për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Sot ne e përmbushim vizionin edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit në Forcat e Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me pajisje moderne, dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate”, ka thënë i pari i Qeverisë.

Në këtë ceremoni përkujtimore, kreu i ekzekutivit ka thënë se lufta e viteve 1998-1999 përveçse na ka çliruar nga pushtuesi dhe okupatori, na ka hapur dhe rrugën që të krijojmë institucione demokratike dhe të qëndrueshme.

“Ishte kjo luftë që jo vetëm na çliroi nga pushtuesi dhe okupatori dhe më pas na solli shtetin e Republikën, por dhe ajo që na krijoi hapësirën për të jetuar në liri dhe na hapi rrugën të krijojmë institucionet demokratike e të qëndrueshme. Kështu nga një popull i pushtuar nga shekulli i kaluar, në këtë shekull jemi bërë shoqëri moderne që respekton të drejtat e njeriut, dhe që çdo ditë është duke u bërë më përparimtar”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Këtë të diel janë bërë 25 vjet nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës.

Sulmin e gjerë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Serbia e kishte koncentruar në Prekaz, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ngjarja e fillimit të marsit të vitit 1998 ishte e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit, duke ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 dhe 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore, e kjo kishte lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.

Më 5 mars të këtij viti bëhen 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuara nga forcat paramilitare serbe që nga viti 1991 deri më 1998. Synimi i tyre ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika