Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka takuar të enjten në Bruksel, Zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, i cili po ashtu është edhe kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë.
Lajçak, ka shkruar në Twitter, se në takim me Bislimin është biseduar për hapat e mëtutjeshëm të dialogut.
“Patëm një diskutim të gjatë dhe të detajuar me Besnik Bislimin sot në Bruksel për gjendjen e tanishme dhe hapat e ardhshëm në dialog”, ka shkruar Lajçak.
Lajçak, nuk ka dhënë më shumë detaje nga takimi me Bislimin.
Had a long and detailed discussion with @BislimiBesnik today in Brussels about the state of play and next steps in the Dialogue. pic.twitter.com/tGQvSS2DzQ
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) July 14, 2022
Ndërkaq, me 9 korrik të këtij viti, Miroslac Lajçak, kishte marrë pjesë në forumin “Dubrovnik Forum 2022”, kishte deklaruar se janë gati tri-katër marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilat ai po pret që të finalizohen së shpejti.
Kurse me 11 korrik, të këtij viti, dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishin takuar në Greqi.
Lajçak kishte shkruar se me Kurtin kanë diskutuar për situatën aktuale në rajon dhe dialogun me Serbinë.
Në një konfencë tjetër për media në muajin qershor, Lajçak, kishte thënë se takimi i radhës midis kryenegociatorëve të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, do të mbahen në muajin korrik.
Në një konferencë për media, Lajçak ka theksuar se ka një numër të dokumenteve që po diskutohen, e një ndër to është edhe ai lidhur me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.