LDK-ja për arrestimin e drejtorit të KEK-ut: Drejtësia s’ka pse i frikësohet Kurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur KEK-un "Korporatë Energjetike të Korrupsionit"

Koordinatori i departamentit të energjisë në LDK, Visar Azemi, në një konferencë për media të mbajtur pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut Nagip Krasniqi, ka kërkuar që të bëhet një hetim i mirëfilltë dhe të vendosen para drejtësisë “të gjithë anëtarët e rrjetit mafioz e abuzues me energjinë elektrike”.

Azemi ka thënë se Nagip Krasniqi po hetohet për një tender 3.4 milionë euro që ia dha një biznesi pas negocimit për vetëm 6 ditë.

Po ashtu, ai ka shtuar se Krasniqi përflitet se ka qëndruar në një vizitë në Zagreb te ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në vitin 2022.

“Sot ju kemi thirrur për Korporatën Energjetike të Korrupsionit, kështu kemi vendosur ta quajmë këtë institucion. Dje ra në pranga njeriu që Albin Kurti e instaloi në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

“Ky arrestim vjen pas gati 2 viteve të Nagip Krasniqit në krye të këtij institucioni, që janë dy vite të thelluara në krizë energjetike për Kosovën dhe dyshimeve të pareshtura, keqpërdorime, e abuzime në sektorin e energjisë”.

“Sipas raportimeve në media, ai sot po hetohet për tenderin 3.4 milionë euro, që iu dha një biznesi pas një negocimi për vetëm 6 ditë. Për më tepër, njeriu i Kurtit, Nagip Krasniqi, kishte qëndruar në një vizitë në Zagreb me Martin Berishajn në vitin 2022 së bashku me një tregtar të energjisë elektrike, që ngre dyshime për marrëveshje të tregimit të energjisë”.

“Qeveria vazhdon t’i mbrojë këta dy. Krejt kjo duket si paaftësi e këtij pushteti. Albin Kurti, i cili në krye të shtetit erdhi me atë se do t’u shërbejë qytetarëve, ai po u shërben Martinit e Nagipit. Albin Kurti po hesht, Qeveria po hesht”.

“Drejtësia s’ka pse t’i frikësohet Albin Kurtit”, është shprehur Azemi.

Fjalimi i plotë:

Dje,ra në pranga njeriu që kryeministri Albin Kurti e instaloi në krye të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili shërbente si drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. Njeriu i Kurtit që u zgjodh në krye të KEK-ut në mesin e 34 kandidatëve, dje u arrestua për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim të ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”.

Ky arrestim vjen pas gati dy viteve të Nagip Krasniqit në krye të kësaj ndërmarrjeje, që janë dy vite të Kosovës të thelluar në krizë energjetike dhe dyshimeve të pareshtura për keqpërdorime e abuzime në sektorin e energjisë. Sipas raportimeve ne medie, ai sot po hetohet për tenderin në vlerë 3.4 milionë euro që ia dha një biznesi pas një negocimi për vetëm 6 ditë. Për më tepër, njeriu i Kurtit, Nagip Krasniqi, përflitet që kishte qëndruar në një vizitë në Zagreb me Martin Berishajn në 2022 së bashku me një tregtar të energjisë elektrike që ngrinte dyshime për marrëveshje të tregtimit të energjisë elektrike.

Pra, me Martinin, mikun e Kurtit, emri i të cilit prej muajsh po lakohet edhe në mediat e rajonit për një aferë korruptive që lidhet me sektorin e energjisë e për transaksione milionëshe të dyshimta. Janë dy njerëz të Albin Kurtit që përfliten, dyshohen e hetohen për raste korruptive e për dëmtimin e buxhetit të Kosovës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin. E Qeveria vazhdon t’i mbrojë këta dy, përderisa vazhdon t’i sulmojë institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës. Pra, gjatë këtyre dy viteve, kjo Qeveri përveç që ka treguar që është plotësisht e paaftë të menaxhojë, ata janë duke i shkaktuar Kosovës dëme milionëshe siç janë rastet: – vendimi për t’i ndarë 100 milionë euro për t’i mbuluar shpenzimet e konsumatorëve në Veri.

Zvarritjen e remontit të bllokut A5 të Kosova A e duke importuar energji nga jashtë me çmime tepër të larta. Krejt kjo dukej si paaftësi e këtij pushteti, i cili s’ka bërë as edhe një hap për të investuar në kapacitete të reja prodhuese. Por, nga dje, duket se është kristal e qartë se këtu ka një prapavijë. Krejt këto veprime e mosveprime duket se janë të përshtatura për mafinë energjetike. Për bizneset multimilionëshe të Martin Berishajt, Albin Kurti, i cili në krye të shtetit erdhi me zotimin që t’u shërbejë qytetarëve, duket se tashmë është shndërruar në shërbyes të Martin Berishajt, e për të cilin po del se ka angazhuar edhe argatë si Nagip Krasniqi. Dy shokët dhe bashkëpartiakë të Albin Kurtit sot janë nën llupën e drejtësisë, kurse Albin Kurti hesht, derisa partia e tij po i shpallin luftë institucioneve pse po hetojnë aty ku ka dyshime për afera të mëdha korrupsioni. Megjithatë, Prokuroria dhe krejt organet përgjegjëse duhet me këmbëngulje t’i shkojnë deri në fund hetimit. Të gjitha këto dyshime për skandale e korrupsion milionësh ku përfshihen miq e bashkëpunëtorë të Kurtit, duhet të zbardhen. Drejtësia s’ka pse i frikësohet Albin Kurtit.

Si LDK, inkurajojmë dhe mbështesim hetimin e mirëfilltë dhe nxjerrjen para drejtësisë të gjithë rrjetit mafioz e abuzues me energjinë elektrike. Askush nuk do të mundet të përfitojë në kurriz të qytetarëve.”

 

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika