Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, në zgjedhjet e shkurtit ka dalur i pari, por qe disa herë, në takim me liderët e partive dhe Presidenten vjen i fundit, madje kësaj radhe edhe pas Vjosa Osmanit.
Pas diskutimeve për mbi 1 orë, preferencat për datat e zgjedhjeve reflektuan qëndrimet politike që e kanë bllokuar Kuvendin tash e 7 muaj; Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e koalicionit propozoi 28 dhjetorin, ndërsa partitë e tjera 21 dhjetorin.
Praktikën që të mos deklarohet për media Kurti e vazhdoi edhe sot, për ta përshëndetur pak më vonë përmes një postimin vendimin e Osmanit që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
Në anën tjetër liderët e ish-bllokut opozitar para mediave dolën pa e ditur datën e zgjedhjeve, por duke mos hezituar asnjëri që t’i nënshtrohen vlerësimin të qytetarit me votë.
Sfida e kalimit të pragut ishte pyetja që i ngacmoi dy ish partnerët e koalicionit, AAK-në e NISMA-n.
Pos që iu përgjigjen këtyre pyetjeve, AAK e bëri të qartë që shkon e vetme në zgjedhje ndërsa NISMA e la të hapur mundësinë për bashkëpunim por pa e cekur se me kë.
“Pra ju e shihni ai osht tu na bajt dertin si vëlla, ju falënderoj shumë”, ka thënë Ramush Haradinaj.
“Ne preferojmë me një grup politik që përnjëmend drejtuesi i tij lidershipi nis garës për të fituar për të qenë kryeministër i Kosovës. Dhe nëse e shohim këtë alternativë edhe këtë vizion atëherë NISMA është e gatshme me e dhanë kontributin e saj, siç ka thënë aty ku është NISMA do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, ka thënë Fatmir Limaj.
Edhe PDK sipas kryetari Bedri Hamza në zgjedhje shkon optimiste për rritje të votës por edhe për bashkëpunim me të tjerët.
“E kam thënë po e ripërsëris PDK unë si kryetar i partisë nuk kemi vija të kuqe për asnjë subjetk politik kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi më të afërt sa i përket aspekteve programore mundësisë së bashkëpunimit me partitë që në të kaluarën kanë qenë në opozitë”, ka thënë Hamza.
I vetmi që nuk doli para mediave për të folur për pritjet për zgjedhjet e reja, e as për zhvillimet brenda takimit me presidenten ishte lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.