“Liria s’paguhet me asgjë” – Amaneti i dëshmorëve të Llapit 

"Një hero mes mijëra të tjerësh, në një çast të brishtë nate e paska lëshuar armën për të marr lapsin në dorë, për ta lënë një gjurmë që do të jetonte përgjithmonë"

“Ora 1:30 minuta, jam duke menduar se a do t’ia arrijmë për t’u bashkuar një herë e përgjithmonë. O Zot ti je një e të tjerë s’ka. Na ndihmo të qofshim falë. Të gjithë shqiptarët që jetojnë në këtë botë. Zoti i bekoftë tokat shqiptare. Liria s’paguhet me asgjë.” 

Front lufte, një copë letre e bardhë dhe tre rreshta mbi të.

25 vite pas, 1 mijë të rrëqethura.

Një hero mes mijëra të tjerësh, në një çast të brishtë nate e paska lëshuar armën për të marr lapsin në dorë, për ta lënë një gjurmë që do të jetonte përgjithmonë.

Ky djalë i ri plot nur në fytyrë, thonë se e ka dashur jetën, por pak më tepër donte diçka tjetër.

“Thojke du me ju bashku ushtrisë, duhet me luftu se liria nuk vjen qysh mendojmë na tu ndejtë por duhet me luftu”, ka thënë Ahmet Dërguti, vëllai i dëshmorit Ismet Dërguti.

Vëllai veç 15 vjeçar, si thoshte dot “mos”, por ta ndalte kishte provuar e ëma. Tentativë e pasuksesshme.

“Mas pari i thash baba ka dekë, ku po e len djalin 16 vjet, unë jom plakë jom lodhë edhe gruja ishte shtatzanë, e kush ta rritë këtë fëmijë, tha kom vendos oj nanë vec me shku, thash përhajr koft….Kur erdh i veshur me cka ka, atëherë e kam kuptu, thash përhajr koft, me radiolidhje i veshun krejt, vec meta, I mërzitur boll, po i vendosun”..Ky u kanë i vendosur, nuk dalë thojke si qes shoktë e mi përpara, me u vra, por une dalë përpara, unë dalë I pari oj nanë”, ka thënë nëna e dëshmorit, Emine Dërguti.

Siç e tha nëna, ky trim që kishte lënë perëndimin për tu kthyer në Kosovë, vërtetë do të ecte përpara shokëve.

Ai do të ishte në mesin e atyre që formuan Brigadën 152, të Zonës Operative të Llapit të UÇK-së.

Shokët do të bëheshin ushtarët e tij, e moralin lartë do ta mbante vetë Ismeti, emri i të cilit në luftë do të tingëllonte ndryshe: Komandant Isa.

“Ismeti gjithmonë na ka jep moral, gjithmonë ka thënë duhet vetëm përpara, Ismeti me tre dëshmorët e tjerë kan qenë në vijën e parë të frontit, Ismeti  gjithmone e ka pasë një zoll, të cilën nuk e ka heq prej krahut kurrë, edhe e ka shfrytëzu atë ditë ka gjuajt me të, sepse masi që i kemi marr kufomat e dëshmorëve, i kemi pa të gjitha armët e hargjuara, asnjë fishek nuk ka mbetë pa e hargju, Ismeti na jepke moral thojke, na ka ardhë shansa  nëse nuk e shfrytëzojmë kurrë më skemi me mujt me shliru vendin tonë”, ka thënë Kadri Bllaca – Bungu.

“Këtu kanë ra katër dëshmorë, Ismet Dërguti, Lulëzim Jashari, Miftar Zejnullahu, dhe Skender Zejnullahu. Ismet Dërguti ka qenë komandant i kësaj pike, ne kemi qenë ushtarë të tij, jemi kanë 16 ushtarë, pjesën poshtë janë kanë istikamet, me 24 dhjetor në ora 7 ka fillu ofansiva, janë bo luftime të mëdha, kanë ardhë 12 tanka. Ismeti u kanë me Skenderin, me  Lulin, edhe me Miftarin kanë qenë në këtë vijën këtu te istikamet”, ka shtuar bashkëluftëtari i Ismet Dërgutit.

Pas datës 20 dhjetor 98, malet e Llapashticës do të shndërroheshin në një fushëbetejë të ashpër, e  ashpër do të ishte edhe lufta e Ismetit me shokë.

Temperaturat e dimrit – 20 e tanket që po afroheshin çdo qast e më pranë, nuk do të arrinin ti zmbrapsin dot djemtë, që me çdo kusht po kërkonin lirinë.

“Ka filu ofensiva në ora 7 është bë gjuajtje nga të gjitha anët, serbët kanë sulmu me tanka, gulinovi jonë ka gju nga kjo pjesa këtu pa ndërpre, Miftari ka gju me 84sh, Luli e ka pasë një murtajë 150 metërsh, 1 orë e gjysmë ka vazhdu ofensiva pa ndërpre, është thy krahu jonë i djathtë, kanë fillu tankat kanë mbrri shumë afët këtu. Ka fillu municioni me u hargju, po ne nuk e kemi lëshu pikën”, ka thënë Bllaca-Bungu.

Siç Ali Podrimja e ka vulosur në vargjet e tij, Llapin vërtetë armiku nuk e gjeti fjetur.

Sikurse kishte dhënë premtimin, Ismet Dërguti, s’do fshihej asesi mbrapa shokëve, por as s’do dorëzohej pa e hargjuar pikë më pikë muncionin.

Përveç jetës, dy ishin çka Ismeti i donte me ngulm, Lirinë e Bashkimin e Shqiptarëve, ç’ka për dy të fundit e dha të parën.

Bashkë me Lulëzimin Ismetin e Skenderin, Komandant Isa dhëmbë për dhëmbë me armikun, deri kur ftohen trupat, do ta kryente misionin e tij, më 24 dhjetor.

“Miftari edhe Ismeti janë vra në këtë pjesën këtu, ma naltë, kanë ra ata, ne e kemi marr urdhërin me u tërheq me dalë në pjesën mbrapa në istikamet e dytë, kena dalë naltë, kur kena dalë kena pa që dikush po mungon, kena pyet kush s’është, e kena pa që mungojnë 4 dëshmorët.”Na nuk e kena ditë në atë kohë që janë vra, ata radiolidhjet nuk na kanë funksionu, Ismetin e kemi thirr në radiolidhje por nuk është përgjigj, ma vonë e kemi kuptu që kanë ra dëshmorë, të katërtit, dita e 24 dhjetorit ka qenë ditë e ftoftë, me borë shumë, serbët nuk kanë zbritë prej tankave kanë sulmu vec me tanka, krejt gjujtjet janë kanë vec prej tankave, janë kanë 12 tanka, na jena kanë 16 ushtarë a serbët me 12 tanka. Është dita ma e dhimbshme për zonën e Llapit se kena humb mas shumti njerz”, ka treguar më tej bashkëluftëtari i dëshmorit.

Siç e e ka dëshmuar gjithmonë historia, lajmet e hidhura arrijnë lehtësisht në destinacionet ku dhembin.

Është i rëndë momenti kur i duhet ta kujtoj, por nëna Emine lajmin që e kuptoj përmes ekranit, e ka fort të freskët.

Ora 20:00, lajmet e mbrëmjes, do të ndryshonin përgjithmonë jetën e saj dhe të familjes Dërguti.

“Në lajme ora 20:00, u dha lajmi, valla Ismet Dërgut ka ndërru jetë. Aty nuk kam ditë më, më kanë dhanë neksia, jam mërzit shumë. Nuk kam ditë kurgjo, na kanë pi krejt, s’kam ditë cka po them as cka po bëj. Ai baba jem bërtitke, djalit i ra tlig edhe cika e vogël, tanë,, smujsha as me I pajtu. Një shkojke qatje, një qatje, një qatje”, ka thënë Dërguti.

Komandantin sypatrembur që tashmë e kishte emrin dëshmor, do ta mbulonte dheu, në ditëlindjen e 28-të.

Ajo që e kishte sjellur në jetë sot zor i mban lotët, por atë ditë ditë të ftohtë dimri, ngjan se ishte përmbajtur, por jo pa shkas.

Emine Dërguti kishte një amanet pezull për të çuar në vend.

“Ditën e viti t’ri u lind, ditën e vitit t’ri u hi në dhe,” “Sa i mban toka edhe qielli ka pasë në varrim. Amanet ma pat lon, mos vajto se vec shkijet vajtojnë, qaj me lotë, me vajtu mos vajto. Jojo i thash djali jem se na jena shqiptarë, duhet me qenë krenarë”, ka treguar Emine Dërguti.

Rrugës së luftës i kishte hyrë pa shikuar mbrapa, e të kthehej nga ai shteg e dinte mirë se ka fare pak gjasa, ndaj vëllait ia kishte rrëfyer një dëshirë.

“Paraprakisht ai dëshirën e ka pasë për me lanë një pasardhës, me qëllim është martu në 97 tën, ka pasë dëshirë me lanë një fmi pas vetës, ky e ka ditë që mundet me u vra, na ka tregu edhe neve”, ka thënë Ahmet Dërguti, vëllai i dëshmorit, Ismet Dërguti.

Ëndrra e tij do të plotësohej, e pasardhësja e tij do të nisej për këtë botë, por ironia e fatit nuk do të lejonte që rrugët e babit me të bijën të kryqëzoheshin.

4 muaj pas rënies së tij për Kosovën, në jetë do të vinte e bija e Ismetit, Kosovarja.

Lotët e saj e japin gjithë pasqyrën, e rrëfimi është po aq i dhimbshëm sa vetë historia e vajzës që nuk arriti të thërras baba.

“Fëmijëria ime nuk ka qenë aspak e lehtë, me u rrit pa pridërit nuk është e lehtë, mu më karritë agja dhe gjyshja, unë s’mundem me thirrë gjyshe, une e thirri nanë, ajo më ka rritë. Edhe nuk më ka mungu kujdesi aspak dhe dashuri ae fmailjes në përgjithësi, por imazhi i babait më ka mungu gjithmonë”, ka thënë, Kosovare Dërguti, e bija e dëshmorit Ismet Dërguti.

Zor e ka të vendosë në mos i peshon më shumë dhimbja a krenaria, por kjo e dyta, bën që ti buzëqeshin sytë, që I lagen e I thahen shpesh gjatë bisedës.

“Gjithmonë jam krenu me babin e bija e kujt jam, që e ka jep jetën më të shtrejntën për liri, që unë me jetu, nuk më ka mungu repsekti gjithmonë kam dalë ballëhapur, kom folë për babin gjithmonë edhe pse unë vetë nuk kom arrit me njoftë, mirpo e gjithë familja më ka tregu cfarë babe kom pasë”, ka shtuar Kosovarja.

Për shpatullën e fortë të babit, Kosovarja thotë se pati edhe më shumë nevojë kur u bë vetë nënë, teksa një fotografi e saj me babin që s’arriti të shkrepej kurrë, është pika e saj më e madhe në jetë.

“Çdo ngjarje që ma tregojnë si ka qenë ai, unë mundohem me imagjinu, ai mu nuk më ka rritë, mirpo i ka dasht fëmijët shumë, edhe cdo foto kur e shoh, me fëmijët e tjerë, unë them me vete qysh se kam asnjë kujtim me babin … (çan, ) e imagjinoj gjithmonë ta kisha pasë vetëm një foto me të, por nuk e kam. “….Bashkë me djalin tem që më ka beku zoti kam qenë te varrezat në përvjetorin e babit, ka qenë një moment shumë i mirë për mu, që bbaait tim ju ka plotësu dëshira për me lanë dikë pas vetës. Atë dëshirë ja kom plotësu me një nip me pasë”, ka treguar më tej e bija e dëshmorit.

Por askush nuk e kishte ditur se Llapi, kjo palcë e kombit, kishte përkundur aq shumë trima.

Po në atë brigadë e po në atë zonë historia do të njihtje edhe një djalë tjetër të ri që ndër dashuritë e tij të mëdha, printe Kosova.

Një djalosh i  të njëzetave që e donte shkollën, artin e teatron, do ti hynte rrugës që për të do të ishte drama më e vëshirë, në një skenë me qiell të hapur.

Çdo rol që do ta merrte, do ta përfeksiononte, teksa rrëqethëse është fjalia me të cilën e nisë rrëfimin, ajo që me Bekim Maliqin kishte vendosur të ndaj jetën, në planet e saj, të gjatë.

“Muna me thanë që me të e kam pasur pjesën më të mirë të jetës”, ka thënë Razie Maliqi, bashkëshorte e dëshmoirit, Bekim Maliqi.

Roli i ri që po merrte, këtë herë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, atij do t’ia ndryshonte rrjedhën e jetës, por zaten qëllimi i tij ishte të ndryshonin rrjedhat për Kosovën.

As puna e tij në linjën Kosovë- Austri, as viza që mbante në gjep, e as gruaja e jetës vec 20 vjecare që  e priste në shtëpi me djalin e posalindur nuk qenë arsye për Bekimin që ti thoshte Luftës Jo, e t’ia kthente atdheun shpinën.

“Deri n’maj ka punu, ma në fillim të majit tha bab ma nuk jemi në gjendje me punu, lufta po fillon, dha do të kyqna në luftë, edhe atë ditë e kam ndërpre punën vijën e autobusave Kosovë- Austri. Ky u kyq në luftë….”, ka treguar Abdurahman Maliqi, babai i dëshmorit Bekim Maliqi.

Vendimi i baskëshortit ishte akoma i panjohur e I pa besueshëm për Razijen atë botë 20 vjecare me një mijë ëndrra e plane për të ardhmen.

“Në Janar pas vrasjes së Zahir Pajazitit, ai e kishte një bindje më të madhe për vendin e vetë, ishte atdhedashës, ikishte të gjitha kushtet që s’I mungonte asgjë, kishte familje, ishte edhe me vizë që mundte me udhëtu, mos me nejt fare këtu, mirpo në maj të 98-tës ai u bashku te UÇK-ja, kemi bisedu nja dy herë për këtë punë, thojke me shku në UÇK me tregu drejtën nuk e besojshim që ishte serioze, e kur shkoi në maj ka shku pa parlajmërim, pesë ditë se kemi ditë hic, kena fillu me kërku gjithandej, mandej dikush nga ta la ardhë n aka lajmëru që është në Zabërgjë tu i kry ushtrimet e para”, ka treguar më tej gruaja e dëshmorit, Bekim Maliqi.

Fillimisht Ushtrisë po i ndihmonte në logjistikë, c’ka ia mundësonte ardhjen e herëpashershme në shtëpi, për tu përballur me pyetjen e bashkëshortes, që do ta kishte vështirë ti jepte përgjigje.

I thojsha a ke mendu për neve, ai thojke  unë edhe nëse nuk jam juve s’ka me ju mungu asgjë, e në fakt koha që ka ardhë neve sna mungon asgjë përvec tij”, ka shtuar më tej Razie Maliqi.

“Ai e ka ndje gjithmonë, Valdrini vike tu u rritë, me një rast na kujtohet ishte Valdrini I vogël e përkundke ai në beshik, ky masi iu bahsku UCK-së nuk mujke me vazhdu ma punën ishte I fokusuar krejt diku tjetër, nëna e tij i tha duhet me punu diku se për djalin duhet me u kujdes, tha e di që Valdrinit i vjen pagan ë ship, punova unë ose jo Valdrinit ka me i ardhë pagan ë ship, ishte një sinjal, që ai po na tregon që edhe nëse s\është ai Valdrinit s;ka me i mungu asgjë. Edhe tha jam shumë I sigurt që Valdrini s;ka me msu nshkollë për historinë e tjerve qysh kemi mësu na por ka me msu për luftën e lavdishme të UÇK-së”, ka shtuar më tej ajo.

Rrethanat ndryshuan dhe barbarizmi serb po agravonte, çka e shtyn Bekimin të vendosë se fronti ishte zgjidhja e vetme.

“Ka qenë në moshë shumë të re dhe ka qenë shumë mirë ekonomikisht, që mu më së shumti në këtë kohë më kanë befasu, disa persona që s’kam besu që vijnë dhe na I bahskohen luftës, kur ekonomikisht kanë qenë shumë mirë, ua kam lakmi atyre, e një ndër ta ka qenë edhe bekim Maliqi. I ka kryer ushtrimet ushtarake në Bajgorë, zakonisht dy javë ditë zgjasin në atë formë sa kemi mujt me ju dhanë njohuri, po në atë kohë e prisnim një ofensivë, që do të na sulmojnë, se u sulmkuan të gjitha pikat në nivel Kosove sepse ishin të interesuar me shpartallu UÇK-në e smujten me arritë atë punë”, ka thënë Selim Haziri – Bekria, komandant i Bekim Maliqit.

Bekimin e mahniste madhështia e tri shkronjave, bisedë që e kishte bërë me komandantin e tij, veç një natë përpara se emri i tij të gravohej përgjithmonë si dëshmor i Betejës të lavdishme të Kaqandollit.

“Ku është fjala tek dëshmori jonë, Bekim Maliqi, Atë natë kur ka ardhë kemi nejt me të zgjuar deri në 1,2 të natës tu bisedu për luftën e UÇK-së, edhe fillet e UÇK-së, edhe mashështinë e saj edhe qysh ka fillu me u rritë numri i atyre që po I bashkohen, edhe për jetën e përditshme të tij, sikur kur e din që nesër e ka fundin e jetës, dhe lavdi i qoftë atij”, ka thënë komandanti.

Atë ditë armiku po tentonte të shkëpuste lidhjen mes dy zonave operative, asaj të Llapit dhe të Shalës por luftëtarët zor të lëviznin nga pozicioni I tyre.

15 shtatori i 98-tës, do të merrte Bekimin 22 vjecar bashkë me shokët që kishin bërë besa-besë të jenë aty deri në ushtarin e fundit.

“Lajmi ka qenë shumë I randë në vijë frontale e kishim, herën e parë që po ballafaqoheshim me vijë frontale, aty na u kanë vra disa dëshmorë, ishte shumë e randë por e kish edhe atë madhështinë e vetë që shkau s’mujti me ja arrit qëllimin cfare e pati. Aty edhe dhimbja edhe krenaria po u bëjshin bashkë.

Bekimi kur ka ardhë ka ardhë me një revole të vetën, e atë natë kur ka dalë shpejt e shpejt, i ka mbetë në dhomë, dikush prej ushtarëve e ka marr mos me mbet aty,  as ai nuk e ka ditë e kujt është, ja kom dorzu prindit të tij e kam ndjerë vetën shumë të lumtur, edhe prindi aq shumë u gëzu, sikur kur ta sheh djalin”, ka shtuar më tej komandant Selim Haziir – Bekria.

Krismat e luftimeve të asaj ofensivë të rreptë, ishin dëgjuar në shtëpinë  e Bekimit por Razia nuk donte të besonte më të keqën.

Malli e dhimbja ja përshkojnë shpesh zemrën gjatë rrëfimit, por kjo grua e hekurt nuk do që ti shihen lotët e peshës së jetës, për çka i ik objektivit.

“Tri ditë ka pasë luftime, edhe krismat janë dëgju edhe në batllavë, nanës t’Bekimit ja nijke zemra që e kanë vra, cdo gjysmë ore thojke e kanë vra se kishim ni diqka, deri t shtunen mëngjes skemi dëgju kurgja, po vetë fakti që sna lajmëruan, na ka shku mendja, pastaj I kanë pru në Majac 7 dëshmorët e Kaqandollit, atë natë e kanë pru edhe në shopi,. Shumë e vështirë. Të shtunën e bëmë drekën dhe e pritshim Bekimin me ardhë kur na lajmëroi agja që është I vrarë, në atë moment kam qenë te beshiku i Valdrinit, edhe aty kam vendosë qe me ta t’jem gjithë jetën” ka thënë Razie Maliqi .

Fjalë pak është babai, por krenar që gjysmën e shpirtit ia dha Kosovës.

“Çdo fillim është i vështirë, luftë pa gjak nuk ka, edhe pa dëshmorë, s’ka. Liria nuk vjen lehtë. Liria ka sakrifica.  Më tepër që e ka lanë zonjën me fëmijën e vogël por I kemi përballu”, ka thënë babai i dëshmorit Bekim Maliqi, Abdurrahman Maliqi.

26 vite pas, para lapidarit të tij, do të përkulet një ushtar i ri i Kosovës, I veshur me uniformën e ushtrisë së një shteti të pavarur, për të cilin Bekimi u flijua.

Ky djalë nuk nuk do të jetë veç njëri nga pjesëtaret e radhëve të Forcës së Sigurisë.

Valdrini do të jetë ëndrra e pa përfunduar e Bekimit, i biri i këtij dëshmori që nuk lejoi që shtëpia të mbetet pa uniformën ushtarake.

“Me u rritë me një familje atdhedashëse, është diçka e mirë por jo edhe e lehtë,  edhe kjo ka qenë një ëndërr qysh prej fëmijërisë që me e bart uniformën, në atë kohë ishin Trupat Mbrojtëse të Kosovës, tani kur kaloi ushtria jonë në 2019-tën kom vendos që me u bë pjesë aktive e ushtrisë tonë. Është një ndjenjë e përzier, është një ndjenjë mes krenarisë dhe dhimbjes kur e din faktin sa sakrificë e madhe u shku për me ardhë deri te kjo uniformë, edhe deri te ky flamur që ne e bartim sot, e ka historinë edhe lavdinë e vetë që neve na bën shumë krenarë dhe e bartim me dinjitet”, ka thënë Valdrin Maliqi, i biri i dëshmorit.

I rritur nën frymën e atdhedashurisë nënrreshta fsheh dhimbjen për mungesën e figurës së babait.

Por meqë zemra s’bëhet dot gurë, Valdrini to ta përjetojë vdekjen e babait rëndë në moshën 18 vjcare, kur ai do të rivarroset 20 vite nga rënia.

“Mund të them se është një ndjenjë tepër e randë, për faktin që kur u vra babi nuk e kam përjetuar  ekohën e rivarrimit kam qenë në një moshë të rritur që me I kuptu gjërat dhe ka qenë hsumë e randë, por vetë fakti që po është afër me shokët, e ka thy pak atë dhimbjen”, ka shtuar më tej Valdrini.

Djali i dëshmorit, Ushtaraku i FSK-së, tash edhe një baba i ri, nuk ka ndërmend të ndryshojë rrugë.

“Ne e kemi obligim që atdhedashurinë me e përcjell brezpas brezi, dhe e kemi oblgiim që fëmijëve tanë dhe gjeneratave që vijnë pas nesh me ua përcjell historinë edhe rrethanat, qysh kemi ardhë te kjo liri sakrificiën mundin”, ka treguar djali i dëshmorit.

Sot, Kosova është e lirë e madje edhe Repulikë! Pa sakrificën e këtyre atdhedashësve liria as nuk do të imagjinohej.

Tash, në këtë kompleks memorial të Zonës Operative të Llapit, flejnë të qetë trupat e 112 trimave, që vec këtë qetësi e donin. Qetësinë e LIRISË.

Në mes tyre janë edhe Ismet Dërguti e Bekim Maliqi, dy dëshmorë të heshtur të Llapit, dy nga mijëra heronjtë e pakënduar të Kosovës.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika