Lista Serbe paraqet dy kërkesa për tërheqjen e protestuesve

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paraqitur dy kërkesa për tërheqjen e protestuesve serbë nga ndërtesat e komunave në veri, gjatë takimit me përfaqësuesit e KFOR-it duke vënë theksin në nevojën për të larguar kryetarët e rinj të komunave në veri dhe largimin e njësisë speciale nga zona

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe nënkryetari i kësaj partie, Igor Simiq, duke biseduar me pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ata të KFOR-it. Zveçan, 29 maj 2023, REL.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se janë dy kërkesa që ua ka përcjellë përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.

“Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë veten – të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, ka thënë Rakiq, duke folur nga Zveçani, raporton REL.

Më 29 maj, serbët po protestojnë para ndërtesave komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Policia e Kosovës, por edhe trupa të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë shtuar prezencën e tyre në veri.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.

“Ne nuk do të largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme parapolicore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, ka thënë ai.

Pas rritjes së tensioneve në veri më 26 maj, Lista Serbe ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria serbe që ta ndërprejnë apo pezullojnë dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj të shkonin në zyrat e tyre. Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët u përleshën me zyrtarët policorë.

Veprimet e Prishtinës janë dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar, që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë dorë nga “masat e dhunshme”.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 maj, pasi krerët e mëhershëm komunalë nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika