Lituania kërkon që NATO-ja të rrëzojë dronët rusë mbi Baltik

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë kërkon që avionët e NATO-s në shtetet e Baltikut të shkatërrojnë dronët rusë që hyjnë në hapësirën ajrore, ndërsa Letonia diskuton me aleatët për përmirësimin e protokolleve dhe dislokimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore

Një AV-8B Harrier i Korpusit Detar të SHBA është parkuar në bordin e anijes sulmuese amfibe të klasës Wasp USS Kearsarge (LHD 3) gjatë stërvitjes Baltops 22 në Detin Baltik, 8 qershor 2022, Reuters.

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë tha se avionët e NATO-s që gjenden në shtetet e Baltikut duke të rrëzojnë dronët rusë që hyjnë në hapësirën e tyre ajrore, pasi javën e kaluar një dron i Rusisë u rrëzua në Letoni.

Avionët luftarakë nga shtetet e tjera të NATO-s kanë patrulluar qiejt mbi shtetet e Baltikut, që kur ato u bënë pjesë e aleancës ushtarake më 2004, pasi tri ish-republikat sovjetike nuk kanë avionë të nevojshëm për patrullime.

Avionët e NATO-s “nuk duhet vetëm të patrullojnë, por nëse është e nevojshme, edhe të shkatërrojnë dronë”, tha ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Laurynas Kasciunas.

Ai shtoi se procesi i vendimmarrjes për këtë duhet të shkurtohet, në mënyrë që kjo të bëhet e mundur.

Deklaratat e tij vijnë pasi të shtunën një dron i Rusisë u rrëzua në Letoni. Forcat e armatosura të Letonisë thanë se droni ishte i llojit Shahed, prodhim iranian, i pajisur me mjete shpërthyese.

Të martën, presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, tha se shteti i tij po e diskuton problemin e dronëve rusë me aleatët e tij.

“Po e ngremë këtë çështje me partnerët tanë në NATO lidhur me protokollet për pengimin e dronëve, duke bërë thirrje që avionët luftarakë të aleatëve të përdoren menjëherë pasi të shohin se dronë të tillë u afrohen kufijve tanë”, tha Rinkevics.

Zyrtarët nga shtetet e Baltikut po ashtu i kanë bërë thirrje NATO-s që të dislokojë sisteme të mbrojtjes ajrore përgjatë kufirit lindor të aleancës.

Shtetet e NATO-s nuk kanë sisteme të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore, por vitin e kaluar aleanca u pajtua për dislokime afatshkurtra për të zmbrapsur Rusinë.

Në prill, Holanda dislokoi sisteme raketore Patriot për ushtrime në Lituani, por shtetet e Baltikut duan që të ketë dislokim të përhershëm në rajon të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Në fillim të shtatorit, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, tha se Varshava duhet të ketë të drejtë të rrëzojë raketa ruse që kërcënojnë territorin e saj nga hapësira ajrore ukrainase./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Ekspozita “Ngjyrat e Lirisë” hapet në Prishtinë, arti në shërbim...

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur sot në FLORI Gallery, në Prishtina Mall, ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik kushtuar luftës së...

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

Të fundit nga rubrika