Kryeqyteti i Kosovës ka hyrë në ditën e dytë pa transport publik, ndërsa banorët e Prishtinës janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative për të lëvizur në mungesë të autobusëve.
Sipas ish-deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, fajtori kryesor për këtë situatë është Qeveria Kurti, e cila, sipas saj, ka bllokuar buxhetin e vitit 2025 për komunën për plot 11 muaj.
Duke folur në FIVE të TV Dukagjinit, Lushaku-Sadriu ka thënë se situata e krijuar është rezultat i vonesave të qëllimshme dhe papërgjegjësisë institucionale.
“Tash e 11 muaj po bëhen që Prishtina nuk e ka buxhetin e vitit 2025. Edhe për këtë është faji specifikisht i kësaj qeverie, sepse komuna megjithëse me pak vonesë e ka miratuar buxhetin dhe e ka proceduar. Dhe nja 40 ditë i ka humbur vetë qeveria, që nuk e proceduar në Kuvendin e Kosovës. Edhe kjo pastaj ka rezultuar në bllokadë buxhetore. A e dini çka domethënë që një kryeqytet, që e ka gati gjysmë e banorëve të banorëve të Kosovës, me mbetë dhe të funksionojë tash e 11 muaj pa buxhet. Ose me buxhet 1/12 për secilën muaj. Që është komplet i pamjaftueshëm për funksionalitetin e komunës.
Tash kur po i shohim bllokadat e protestat, kjo është vetëm një shpërthim i një akumulimi kaq mujor. Dhe kjo vërtetë është një papërgjegjësi totale. Qeveria komunale, pjesë e së cilës kam qenë për disa muaj, nuk e ka fuqinë të marrë mjetet. Edhe mjetet vetanake që komuna i mbledh me tatime, nuk ia lëshon qeveria Kurti. Kjo është totalisht e paprecedentë…”, ka thënë Lushaku-Sadriu.