Profesori i sociologjisë Fadil Maloku ka deklaruar se nuk pret pengesa në procesin e krijimit të institucioneve të reja të vendit, përfshirë formimin e Kuvendit dhe Qeverisë, pas rezultatit të zgjedhjeve.
Duke folur në FIVE në RTV Dukagjini, Maloku theksoi se procesi institucional që buron nga Kuvendi nuk do të përballet me vështirësi.
“Sa i përket Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin prej tij, përfshirë Qeverinë, nuk do të ketë ndonjë problem”, ka thënë ai.
Megjithatë, sipas tij, sfidat mund të shfaqen në fazën e mëvonshme, konkretisht në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Problemi do të shfaqet, apo tashmë ka nisur zhurma me u kriju. Tash, a është kjo zhurmë artificiale apo ka në prapavijë diçka tjetër nuk e di, por problem do të shfaqet me rastin e përzgjedhjes së presidentit apo presidentes eventualisht”, ka deklaruar Maloku.
Ai shtoi se tashmë kanë filluar kalkulimet, apo siç i quajti ai “pazaret” politike, lidhur me përzgjedhjen e presidentit dhe mënyrën se si do të zhvillohet ky proces.
Sipas Malokut, në këtë fazë është thelluar edhe hendeku mes qeverisë në ardhje dhe opozitës, përkatësisht ish-partive opozitare, çka mund ta komplikojë më tej procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.