Në intervistën e tij të parë pas zgjedhjes, Zohran Mamdani ka deklaruar për ABC se fitorja në New York i jep atij mandatin për të ndjekur një “agjendë ambicioze për përballueshmërinë”, me synimin që “qytetin më të shtrenjtë në SHBA ta kthejë në një qytet të përballueshëm për të gjithë”.
I pyetur nëse mund ta realizojë këtë pa rritur taksat, Mamdani u përgjigj se do të duhet t’i rrisë ato për “1% më të pasurit të Nju Jorkut”.
Ai planifikon të vendosë një taksë fikse prej 2% për qytetarët që fitojnë mbi 1 milion dollarë në vit (rreth 770 mijë funte), si dhe të rrisë normën e taksës për korporatat në 11.5%, në nivelin më të lartë të asaj që zbatohet në Nju Xhersi.
Sipas tij, kjo do të sillte në buxhet rreth 9 miliardë dollarë.
I pyetur nëse një lëvizje e tillë mund të largojë punëdhënësit nga qyteti, Mamdani tha se punëtorët tashmë po largohen për shkak të kostos së lartë të kujdesit për fëmijët, çka e vështirëson për bizneset mbajtjen e stafit.
Para zgjedhjeve, presidenti amerikan Donald Trump kishte kërcënuar se do të ndërpriste financimin federal për qytetin nëse Mamdani fitonte.
Mamdani tha se është i gatshëm t’i bëjë ballë presidentit nëse ai përpiqet t’i shkaktojë dëm Nju Jorkut.
“Kërcënimet e tij janë të pashmangshme”, u shpreh Mamdani./BBC
Demokrati Zohran Mamdani fiton garën për kryebashkiak të Nju Jorkut