Mandl për liberalizimin e vizave për Kosovën: Hap i vonuar, por kemi arsye për të qenë të lumtur

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl e ka përshëndetur miratimin e Këshillit të Ministrave të BE-së që i ka dhënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën por e ka vlerësuar si hap të vonuar

Lukas Mandl

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl e ka mirëpritur miratimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që i ka dhënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën të enjten.

Por, Mandl e konsideron këtë hap si shumë të vonuar.

“Kjo është shumë e vonuar. Kemi arsye për të qenë të lumtur. Por ne gjithashtu duhet të pyesim veten pse disa vendime që e bëjnë jetën më të mirë për shumë njerëz dhe nuk do të dëmtonin askënd ndonjëherë zgjasin kaq shumë në BE. Ne duhet të kapërcejmë qasje të tilla ideologjike. Le t’i shërbejmë Evropës dhe evropianëve”, ka thënë Mandl.

Ndryshe, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar të enjten në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, drejtori i Institutit të Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), Demush Shasha.

Ai ka thënë se tani si procedurë ka mbetur vetëm edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku pritet përkrahje unanime.

“Këshilli i Ministrave miratoi me unanimitet liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndjenjë e veçantë të shohësh se si një sagë 10 vjeçare përfundon brenda 10 sekondash të një mbledhjeje. Tani ka mbetur vetëm edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian ku pritet përkrahje përsëri pothuaj unanime”, ka shkruar Shasha.

Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS.

Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tri vjet.

Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.

Ministrat e BE-së miratojnë me unanimitet liberalizimin e vizave për Kosovën

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika