Marrëveshja e Abazoviq me Kishën Ortodokse Serbe, naivitet apo qëllim politik?

Marrëveshja mes kryeministrit malazias Dritan Abazoviq dhe Kishës Ortodokse Serbe ka ngritur diskutime të shumëta se cenon integritetin e shtetit malazez. Gjithashtu ,për njohësit e rrethanave politike në rajon, kryeminstri Abazoviq po cilësohet si “satelit i politikës serbo-ruse”

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe Patriarku i KOS-it, Porfirije gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore

“Mali i Zi që nga koha e Millosheviqit është në presion të vazhdueshëm të politikës serbomadhe të gllabërimit të saj. Megjithatë, falë politikës së mençur e të guximshme të presidentit Gjukanoviq, ia ka arritur të shkëputet duke ndërtuar shtetin, i cili tanimë është anëtar i NATO-s dhe ka hapur negociatat për anëtarësim në BE”.

Kështu ka thënë për Portalin Dukagjini ish-zëvëndësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha në lidhje me Marrëveshjen e arritur mes kryeministrit malazias, Dritan Abazoviq dhe Kishës Ortodokse Serbe, ku Abazoviq po kritikohet për dëmtim të interesave të Malit të Zi.

Një marrëveshje e cila bëri bujë që nga nënshkrimi i saj më 3 gusht të këtij viti, ka bërë që Abazoviq të cilësohet sikurse një “satelit” i Serbisë.

Ky akt i “satelitit”, sipas Berishës, ka treguar një pabesi të madhe nga ana e tij e njëherësh, edhe një keqpërdorim të mandatit të tij si kryeministër i vendit.

Por, a është kjo marrëveshje një tendencë për përshkallëzim të situatës edhe në Kosovë?

“Sigurisht që edhe Kosova është në vazhdimësi në fokusin e politikës serbo-ruse për t’u destabilizuar dhe për të minuar shtetësinë e saj”, ka thënë Berisha për Portalin Dukagjini.

Ish- Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha

Megjithëse çështja e ndikimit të kësaj marrëveshjeje është një pjesë e pashmangshme e diskutimeve edhe në Kosovë, ndikimi që mund të ketë në shtetin malazias pritet të jetë një “ndikim historik”, ashtu siç u cilësua edhe vetë nënshkrimi i marrëveshjes.

Sipas ish-zëvëndësministrit Berisha, elemente të kësaj marrëveshje do të dëmtojnë duke falsifikuar historinë malazese përmes elementeve që prekin pronësinë e trojeve shqiptare në Mal të Zi e që njëherësh, kjo marrëveshje ia dedikon kishës serbe.

Si “goditje ndaj identitetit malazias” është cilësuar edhe nga politologët.

“Nënshkrimi i marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe është goditja më e madhe deri më tani që i është bërë shtetësisë së Malit të Zi si dhe vetë identitetit malazias”.

Kështu ka thënë politologu, Mentor Tahiri për portalin Dukagjini rreth marrëveshjes së 3 gushtit, të cilën e ka cilësuar si “fitoren më të madhe të projektuesve pansllavistë në Ballkan, për të shtrirë kontrollin mbi Malin e Zi dhe për të siguruar në një perspektivë kohore dhe dalje në Detin Adriatik”.

Politologu Mentor Tahiri

A paraqet marrëveshja mes Abazoviq dhe Kishës Ortodokse Serbe rrezik për Kosovën?

Se a erdhi ky vendim i Abazoviq sikurse “naivitet” apo “qëllim politik”, për Tahirin kjo mbetet akoma e paqartë, mirëpo, sipas tij, një gjë është e sigurtë, fakti që kjo marrëveshje paraqet një alarm gjeopolitik.

E për këtë të fundit më së miri tregon juridiksioni që i jepet Kishës Ortodokse Serbe me anë të marrëveshjes, pra i mundësohet kontrolli territorial.

“Për Qeverinë e Kosovës ky do të jetë një alarm serioz, lidhur me raportet me Kishën Ortodokse Serbe dhe sidomos përpjekjet për të territorializuar juridiksionin e saj në të ashtuquajturat ‘Zonat e Mbrojtura’ ”, ka thënë Tahiri.

Ndër të tjera, ai ka thënë se kjo lëvizje nuk është e re nga ana e Beogradit.

Historikisht, sipas Tahirit, Beogradi është përpjekur që të zbatojë politikën hegjemoniste në Ballkan me anë të tre faktorëve.

“Nën një, me anë të supremacisë ushtarake, nën dy, përmes aranzhimeve politike dhe nën tre, përmes zbatimit perfid të agjendave politike të kamufluara si kërkesa nga Kisha Ortodokse Serbe”, ka thënë Tahiri për Portalin Dukagjini.

Mirëpo, për mendimin se Kosova rrezikohet nga kjo marrëveshje nuk pajtohen të gjithë.

Sipas publicistit Nexhmedin Spahiu, realizimi i kësaj marrëveshjeje nuk e cenon Kosovën, ngase kjo e fundit e kishte përfunduar këtë diskutim nga bisedimet e realizuara në Vjenë e njëherësh, edhe pjesë e Pakos së Ahtisaarit.

Por, sipas tij, një marrëveshje e tillë patjetër që do ta dëmtojë kishën malazeze.

“Nuk është puna që e cenon integritetin e Malit të Zi, por e dëmton kishën malazeze, sepse prej vitit 1918 kanë qenë prona të kishës malazeze ndërsa nga 1919, mbreti serb i ka shpallur, i ka konfiskuar dhe ia ka dhënë kishës serbe, domethënë janë hequr nga pronësia malazeze dhe i janë dhënë Kishës Ortodokse Serbe. Këto, Mali i Zi ka pretenduar t’i rikthejë, mirëpo me marrëveshjen e Abazoviqit me kreun e Kishës Ortodokse Serbe, këto prona, kisha, manastire llogariten sikurse pronë e kishës serbe”, ka thënë Spahiu për Portalin Dukagjini.

Publicisti Nexhmedin Spahiu

Me mendimin e publicistit Spahiu dakordohet edhe juristi, njëherësh ish-politikani, Azem Vllasi.

“Kisha serbe në Kosovë nuk paraqet rrezik të përmasave të njëjta sikurse në Mal të Zi. Nuk e ka atë kapacitet”, ka thënë Vllasi për Portalin Dukagjini gjersa ka shtuar se deri diku, të vetmit që mund të paraqesin një rrezik janë “grupet e huliganëve nga pjesa veriore, të instrumentalizuar nga pushteti i Beogradit”.

Ndër të tjera, sipas Vllasit, e vetmja është Serbia ajo e cila vazhdon “të futë hundët” në çështjet e Kosovës dhe Malit të Zi, duke u bërë rrjedhimisht një rrezik permananet për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Juristi dhe ish-politikani, Azem Vllasi

A do të ketë kosto politike veprimi i “satelitit të politikës serbo-ruse”?

Sipas ish-zëvëndësministrit të Punëve të Jashtme, Anton Berisha, kjo kosto do të paguhet nga vetë Abazoviq gjersa do të jetë spektator i udhëtimit integrues europerëndimor të Malit të Zi.

“Tradhëtia klasike e Abazoviqit, jam i sigurt që do të ketë koston politike, por që në fund do ta paguajë vetë ai, përderisa Mali i Zi do të vazhdojë rrugën integruese europerëndimore”, ka thënë Berisha.

Nga ana tjetër, ish-politikani dhe juristi Vllasi beson që ajo që mbetet më e brishta në këtë mes është Bosnja.

“Roli i SHBA-së dhe Evropës duhet të jetë vendimtar për shpëtimin e Bosnjës si shtet unik”, ka thënë Vllasi për Portalin Dukagjini.

Në “situatë të mjegulluar” e ka cilësuar qeverinë e Abazoviqit, ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa.

“Është pikëpyetje se si Abazoviq do të mund të qëndrojë në fuqi, përveç nëse atë vendosin ta përkrahin ish-partnerët e tij që tani janë në opozitë, përfshirë DP-në, por dhe Demokratët apo pjesa e mbetur e njerëzve të ish-kryeministrit Zdravko Krivokapiq”, kishte thënë Hysa, në një intervistë për Portali Dukagjini.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa

Seladin Xhezairi, gazetar, ka thënë se marrëveshja në fjalë ka shënuar “rihapjen e plagëve të vjetra”.

“Është për të ardhur keq që firmëtar i saj është politikani ambicioz, kryeministri Dritan Abazoviq. Kjo për shkak se nuk pati durim që kjo kontratë e debatueshme të vihej nën lupën, edhe të ekspertëve të fushës dhe të merrte në konsideratë qëndrimet e të gjitha palëve të implikuara”, ka thënë Xhezairi gjersa ka theksuar se një marrëveshje e tillë do të ketë koston e vet.

Se kur pritet të ndodhë ky “destabilizim i mundshëm”, Xhezairi ka thënë se “Jam i prirur të besoj se bartja e rrezikut të destabilizimit nga Mali i Zi në Kosovë mund të ndodhë vetëm atëherë kur Beogradi zyrtar të përfundojë punët me Malin e Zi që, dorën në zemër, jam i bindur se do ta ketë goxha të vështirë, aq më tepër kur eksponentë të partisë së presidentit Aleksandar Vuçiq nuk hezitojnë të flasin për ‘botën serbe’ apo tash së
fundmi edhe për ‘denazifikimin e Ballkanit’.

Sa i përket kostos, Xhezairi nuk ka dyshim se e do e ketë një të tillë. E për këtë të fundit, ai uron që të jetë sa më e ulët.

Seladin Xhezairi

Një rezultat i sigurt që pritet të sjellë kjo marrëveshje, sipas njohësve të politikës, është një homogjenitet kishash.

Ajo çka nënkuptohet me një term të tillë është “një lloj i njëjtë”. Si rrjedhojë e kësaj marrëveshjeje, do të krijohen enklavat serbe gjë e cila nënkupton “shtetin brenda shtetit”.

Njëherësh, kjo tregon pretendimet e Serbisë që të përvetësojë trashëgiminë fetare dhe atë kulturore.

Nënshkrimi i Marrëveshjes Themeltare mes Qeverisë malaziase dhe Kishës Ortodokse Serbe, menjëherë kishte nxitur reagimin e partisë së presidentit malazez, Milo Gjukanoviq.

“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë së re”.

Sipas kësaj partie, kjo iniciativë hap dyert për të gjithë ata që mendojnë se Qeveria e Malit të Zi është treguar e papërgjegjshme ndaj interesave nacionale.

Në një intervistë për AFP përgjatë vitit 2020, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukonaviç kishte deklaruar se Mali i Zi ka nevojë për kishën e vet ortodokse, ashtu që të mos lërë vend për ndërhyrje nga Serbia, dhe këtë qëndrim e ka përsëritur në vazhdimësi.

Por, pse marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe paraqet një bujë diskutimesh? Kush është në të vërtetë kjo kishë?

Roli i Kishës Ortodokse Serbe daton edhe para kohës kur Serbia nuk ekzistonte si shtet i pavarur. Ajo kryente të gjitha funksionet shtetërore, megjithëse paraqitej sikurse një institutcion fetar.

Kisha Ortodokse Serbe është anëtare e bashkësisë ortodokse lindore, e vendosur kryesisht në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Pas Luftës së Parë Botërore, të gjithë serbët ishin bashkuar nën një autoritet kishtar, dhe patriarkana ishte rivendosur në vitin 1920, titulli i plotë i patriarkut sipas Brittanica-s ishte “kryepeshkop i Pejës, mitropolit i Beogradit dhe Karlovcit dhe patriark i serbëve”.

Autoriteti suprem i kishës serbe, Sinodi i Shenjtë, përbëhet nga të gjithë peshkopët e saj, të cilët mblidhen një herë në vit.

Ekziston, gjithashtu, një sinod i përhershëm prej katër anëtarësh që administrojnë punët e përditshme të kishës, e cila vlerësohet të ketë rreth 8 milionë ndjekës.

Publicisti serb, Mirko Gjorgjeviqi shkruante se “Është traditë bizantine që kisha ortodokse të mishërohet me shtetin dhe të jetë në njëfarë mënyre institucion shtetëror. Për të qenë edhe më keq, kjo traditë në botën ortodokse ende është gjallë, ndërsa ndër ne është gjithnjë më e gjallë, sidomos gjatë dekadës së fundit”.

E sa për Abazoviq, gazetari Ali Salaj kishte thënë për RTV Dukagjini se Qeveria e Malit të Zi në kryesi me kryeministrin, Dritan Abazoviq pritet të rrëzohet me datën 19 të këtij muaji.

Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika