Reshjet e rrëmbyeshme kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 100 personave në të gjithë Afrikën Jugore, duke detyruar evakuime masive dhe operacione shpëtimi, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se moti i ligë mund të vazhdojë edhe ditët në vijim.
Java të tëra me reshje të dendura kanë goditur Afrikën e Jugut, Mozambikun dhe Zimbabven, duke mbingarkuar lumenjtë dhe infrastrukturën, si dhe duke lënë komunitete të tëra të izoluara, shkruan Aljzeera, transmeton Dukagjini.
Shërbimet meteorologjike në të gjithë rajonin kanë lëshuar paralajmërime të reja, duke rritur frikën për përmbytje të tjera.
Në Afrikën e Jugut, autoritetet thanë të premten se përmbytjet në provincat veriore Limpopo dhe Mpumalanga kanë shkaktuar të paktën 30 viktima.
Helikopterë të ushtrisë janë angazhuar për të shpëtuar banorë të bllokuar në çatitë e shtëpive dhe në pemë, ndërsa lumenjtë e fryrë përshkuan qytete dhe fshatra. Personel sigurie u evakuua gjithashtu nga një pikë kufitare me Zimbabven, pasi ujërat e përmbytjeve rrethuan zonën.
Presidenti Cyril Ramaphosa vizitoi të enjten zonat e prekura në Limpopo, duke deklaruar se provinca kishte marrë rreth 400 milimetra shi për më pak se një javë. Në një distrikt, ai tha se “36 shtëpi janë fshirë plotësisht nga faqja e dheut”.
Kryeministrja e provincës Limpopo, Phophi Ramathuba, tha se më shumë se 1,000 banesa janë dëmtuar në të gjithë provincën. “Është tmerrësisht keq,” u shpreh ajo.
Në Zimbabven fqinje, agjencia shtetërore për menaxhimin e fatkeqësive raportoi të paktën 70 viktima që nga fillimi i vitit, me më shumë se 1,000 shtëpi të shkatërruara, si dhe shkolla, rrugë dhe ura të shembura nga fuqia e ujërave.
Mozambiku është goditur më rëndë. Autoritetet për menaxhimin e fatkeqësive thanë se 103 persona kanë humbur jetën gjatë një sezoni reshjesh jashtëzakonisht të ashpër që nga fundi i vitit të kaluar. Ky bilanc përfshin vdekje nga përmbytjet, goditjet nga rrufetë, shembjet e infrastrukturës dhe një shpërthim kolere i lidhur me furnizimin e ndotur me ujë.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit, mbi 200,000 persona janë prekur në mbarë vendin, me mijëra shtëpi të dëmtuara dhe dhjetëra mijëra njerëz që përballen me evakuim. Agjencia paralajmëroi se përmbytjet kanë përmbytur më shumë se 70,000 hektarë toka bujqësore, duke thelluar mungesat ushqimore për fermerët e vegjël në një vend që tashmë përballet me varfëri dhe ciklone të përsëritura.
Afrika Jugore ka përjetuar vitet e fundit një seri ngjarjesh ekstreme klimatike — nga ciklone vdekjeprurëse deri te thatësira të rënda — duke nxjerrë në pah cenueshmërinë e rajonit ndaj fatkeqësive të nxitura nga ndryshimet klimatike dhe infrastrukturës së brishtë.