Gjenerali i dekoruar amerikan, Wesley Clark, ish-Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale si dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Avokati mbrojtës i Thaçit, Luka Mishetiq, përshkroi për median se Clark do të sqarojë kontributin dhe vlerësimet e tij mbi situatën në Kosovë pas luftës.
Clark pritet të theksojë se është e padrejtë që gabimet e të tjerëve t’i atribuohen Hashim Thaçit.
Ai do të deklarojë se askush në zinxhirin komandues të NATO-s nuk kishte informacion se konflikti i armatosur do të vazhdonte pas qershorit 1999.
Gjenerali gjithashtu do të sqarojë se ishte në dijeni të valës së dhunës gjatë verës së vitit 1999, pas kthimit të refugjatëve, dhe e atribuonte këtë dhunë faktorëve të ndryshëm si urrejtja, hakmarrja, gjakmarrjet dhe aktiviteti i bandave kriminale.
Clark nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së kishte qenë e angazhuar në akte të koordinuara për të sulmuar serbët apo pakicat dhe as se Thaçi kishte ndonjë motiv për të ndërmarrë veprime të tilla.
Gjenerali do të dëshmojë se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar mirë me hierarki nga lart-poshtë dhe nuk kishte një strukturë funksionale komandimi. Sipas Clark, Thaçi ishte vetëm një figurë politike pa përvojë ushtarake dhe me ndikim të kufizuar mbi luftëtarët e UÇK-së.
Ai gjithashtu do të sqarojë përpjekjet e NATO-s për zbatimin e marrëveshjeve të lidhura me konfliktin në Kosovë, duke përfshirë Marrëveshjen Teknike-Ushtarake dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, si dhe procesin e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së.