Mbyllet dita e tretë e dëshmive në gjyqin penal ndaj Trump

David Pecker ka dëshmuar të enjten në gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump në Nju Jork

David Pecker, ish-botues i tabloidit ‘National Enquirer’, dëshmoi të enjten në gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump në Nju Jork, se kandidati i atëhershëm për president i kishte lënë përshtypjen se e njihte një modele të revistës “Playboy’ që po përpiqej të shiste të drejtën e historisë së saj lidhur me pretendimet për një lidhje intime me Trump.

Gjatë një bisede në vitin 2016, Trump e përshkroi Karen McDougal si “një vajzë të bukur”, dëshmoi Pecker të enjten. Ai tha se kjo e bëri atë të besonte se Trump “e dinte se kush ishte ajo” edhe pse ai e ka mohuar të ketë patur marrëdhënie intime me të.

Përfundimisht, tha Pecker, me nxitjen e avokatit të Trump, Michael Cohen, tabloidi i tij e pagoi zonjën McDougal 150,000 dollarë për të blerë të drejtat e historisë së saj.

Pecker e quajti pagesën për aktoren McDougal “një blerje shumë, shumë e madhe”, por tha se ai nuk kishte ndërmend ta publikonte pretendimin e saj për një lidhje me Trump, një praktikë që tabloidi e cilësonte si ‘kapje dhe asgjësim’.

Praktika ka të bëjë me blerjen ekskluzive të informacioneve negative për individët e famshëm dhe më pas refuzimin e publikimit të lajmeve të turpshme nga jeta e tyre.

Një mik i vjetër i Trump, Pecker i tha jurisë prej 12 anëtarësh se “nuk donte që historia (pretendimi i zonjës McDougal) ta turpëronte ose dëmtonte kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Më herët gjatë javës, Pecker dëshmoi se ai kishte rënë dakord në një takim të vitit 2015 për ta ndihmuar fushatën e tij presidenciale duke publikuar histori të favorshme për Trump dhe duke mbajtur një sy hapur për gratë që përpiqen të shesin histori për takimet e tyre me Trump apo histori të tjera negative. Prokurorët e kanë quajtur “sesion konspiracioni” takimin në fjalë në kullën Trump.

Prokuroria argumenton se marrëveshja mes Pecker, Trump dhe Cohen ishte pjesë e një komploti për të bllokuar votuesit që të mësonin të dhëna të turpshme mbi Trump.

Blerja e informacioneve denigruese dhe mospublikimi i tyre nuk është një praktikë normale në gazetarinë amerikane. Pecker tha se avokati Cohen i kishte thënë se Trump do ta rimbursonte atë për 150,000 dollarët e paguara McDougal, gjë që ai nuk e bëri kurrë.

Më herët gjatë javës, Pecker tha se edhe përpara bisedës në lidhje me blerjen e të drejtave të historisë nga McDougal, ai i kishte paguar 30,000 dollarë një punonjësi në kullën Trump në Nju Jork për të asgjësuar një lajm të rremë se Trump kishte një fëmijë jashtë martese.

Ky është gjyqi i parë penal ndaj të një ish-presidenti amerikan. Trump akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë tjetër, 130,000 dollarë për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, lidhur me zërat për një lidhje jashtëmartesore me të.

Sipas aktakuzës, synimi ishte blerja e heshtjes në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Ajo pretendon për një natë intime me Trump një dekadë më parë. Trump e ka hedhur poshtë pretendimin e saj si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet. /VoA

Shija e redaktorit

Klinika e Onkologjisë dhe Emergjenca e QKUK-së përfitojnë donacion pajisjesh...

Klinika e Onkologjisë dhe shërbimi i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë pranuar një donacion të ri pajisjesh mjekësore nga organizata joqeveritare...

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Të fundit nga rubrika