Kancelari gjerman Friedrich Merz ka minimizuar zërat për tensione me presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se biseda e tyre me liderët evropianë ka qenë “konstruktive” dhe me “respekt të ndërsjellë”.
Merz, i pyetur për komentet e Trumpit rreth thirrjeve të fundit me europianët, tha se pati një “bisedë shumë të detajuar”, ku u diskutuan disa propozime – përfshirë çështjen e “koncesioneve territoriale që Ukraina mund të jetë e gatshme të bëjë”.
Ai theksoi se kjo është një pyetje që “duhet të përgjigjet nga presidenti ukrainas dhe populli ukrainas”.
Sipas tij, nëse bisedimet ecin sipas pritjeve, gjatë fundjavës priten kontakte të tjera me zyrtarë amerikanë dhe “ndoshta një takim në Berlin në fillim të javës së ardhshme”, ku mund të marrë pjesë edhe pala amerikane.
Merz shtoi se Trump “dha përshtypjen se është i gatshëm të ecë në këtë drejtim bashkë me ne” dhe se presidenti amerikan “e kupton që europianët duhet të dëgjohen”.
Komisioni Evropian shmang komentet për dokumentin e ri të sigurisë së SHBA-së
Komisioni Europian u pyet gjithashtu për raportimet rreth një versioni të zgjeruar të strategjisë amerikane të sigurisë kombëtare, e cila thuhet se identifikon disa vende të BE-së – si Italia, Austria dhe Polonia – si “targete” për të dobësuar lidhjet me Unionin. Por komisioni shmangu komentet edhe mbi këtë çështje.
Komisioni konfirmoi gjithashtu se po vazhdojnë diskutimet mes të gjitha shteteve anëtare për huanë e re të planifikuar për Ukrainën. Sipas zëdhënësit, të gjitha pyetjet po adresohen dhe ka besim të plotë në analizën ligjore të Komisionit.
Vendimi final pritet të merret në samitin e Këshillit Evropian javën e ardhshme.
