Mesazhi i Osmanit për iranianët: Mos hiqni dorë nga liritë e juaja, jemi me ju

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje iranianëve që të mos heqin dorë nga liritë e tyre. Kjo pas protestave të cilat janë nxitur nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani





Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklaratë për gazetaren iraniane Masih Alinejad, u ka bërë thirrje iranianëve që të mos heqin dorë nga liritë e tyre.

Të paktën 41 persona kanë mbetur të vrarë nga protestat në Iran, të cilat janë nxitur nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini.

Amini ka vdekur derisa ishte në mbajtje të Policisë për Moral, e cila ka ndalur gruan me arsyetimin se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

“Mesazhi im për të gjithë gratë e Iranit, për të gjithë iranianët, është ‘mos hiqni dorë nga liritë e juaja. E dimë sa e vështirë e sa e dhimbshme është, por lufta për liri ka çmim të lartë. Ne kemi paguar çmim shumë të lartë për liritë tona, por sot gëzojmë pavarësinë tonë e lirinë. Jemi me ju gjithë hapat e rrugës derisa të fitoni. Kurrë mos u dorëzoni”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani, teksa ka folur për vuajtjet e Kosovës gjatë luftës, ka thënë se në situata të tilla “e dimë se janë gratë ato që vuajnë më së shumti”.

“Njerëzit e Kosovës ishin viktima të një regjimi gjenocidal, ku mijëra e mijëra u vranë gjatë viteve 1990-ta. 20 mijë gra u përdhunuan si mjet i luftës. E dimë se në këto situata janë gratë që vuajnë më së shumti, por edhe gratë janë ato që udhëheqin ndryshimin”.

Osmani ka potencuar se Kosova qëndron pranë grave të Iranit.

“Është e rëndësishme të mos dorëzoheni kurrë në luftë për liri. Ka qenë shumë e vështirë, por sot jemi pjesë e një shteti demokratik siç është Kosova, një shteti sekular, ku respektohen të drejtat dhe liritë për të gjithë, përfshirë të gjitha gratë që jetojnë në vendin tonë. Ne jemi me gratë e Iranit, do ta ngremë zërin për ju, për liritë tuaja, do të jemi me ju deri në fund”, është shprehur Osmani.

Protestat në Iran janë duke u mbajtur për 10 ditë me radhë.

Zyrtarët kanë thënë se Amini ka vdekur nga sulmi në zemër, mirëpo familjarët e saj dhe disa grupe për të drejta të njeriut kanë hedhur poshtë këto supozime, duke thënë se ajo ka pasur shëndet të mirë.

Sipas tyre, gruaja është rrahur sa ka qenë në mbajtje.

Pamje nga protesta, Foto: AP





Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika