Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë në takimin e tyre për situatën në rajon dhe për temat kryesore si normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. BE do të theksojë nevojën për zbatimin e reformat dhe për përshtatjen me politikën e jashtme të BE-së. Gjithashtu, do të diskutohet rreziku për integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe kërkesa për përparim në dialogun Kosovë-Serbi

Rel: Fotografi nga një takim i mëparshëm i ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian

Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Atyre do t’iu bashkohen edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian, temat kryesore që do të jenë në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende t’i kryejnë obligimet e marra për t’i zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Deri tani, të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, kanë mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Për më tepër, në vitin e fundit, përshtatja e Serbisë me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme është zvogëluar edhe më shumë.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim edhe për kërcënimet që dëgjohen në Bosnje e Hercegovinë për rrezikimin e integritetit territorial të këtij vendi. Thirrje të tilla vazhdojnë të vinë nga lideri i Serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që edhe nga ky takim të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit të raporteve dhe zbatimin e të gjitha obligimeve që palët kanë marrë përsipër në këtë proces.

Pas udhëzimeve që liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë dhënë nga samitet e Bërdos në vitin 2021 dhe Tiranës në vitin 2022, Bashkimi Evropian ka asistuar partnerët që të zhvillojnë kapacitetet e tyre për t’u përballur me kërcënimet hibride, posaçërisht ato kibernetike dhe me fushatat e manipulimit dhe ndërhyrjes nga faktorë të jashtëm.

BE-ja ka përfshirë vendet e rajonit edhe në planet e përbashkëta për të parandaluar aktet terroriste.

Të gjitha këto do të jenë edhe tema për të cilat ministrat e BE-së dhe kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor do t’i diskutojnë në takimin e tyre të përbashkët.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika