Ministrja Haxhiu takohet me Trëndafilovën, diskutojnë për punën e Dhomave të Specializuara

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë takimit me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Kosovë (DhSK), Ekaterina Trendafilova, kanë diskutuar për punën e Dhomave të Specializuara

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Kosovë (DhSK), Ekaterina Trendafilova





Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten e 22 shtatorit është takuar me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Kosovë (DhSK), Ekaterina Trëndafilova.

Kështu është konfirmuar për Portalin Dukagjini, nga zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Flamur Pireva.

“Po, është e vërtetë që ministrja është takuar me Trëndafilovën”, ka thënë Pireva.

Në anën tjetër, MD-ja ka njoftuar se temë diskutimi midis ministres Haxhiu dhe Trëndafilovës ishte puna e Dhomave të Specializuara.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka pritur në vizitë, kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova me të cilën diskutuan për punën e Dhomave të Specializuara, përgjegjësitë e saj, të drejtat e palëve në procedurë, roli i Avokatit të Popullit dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se çka është diskutuar në takim.

Në anën tjetër, anëtarja e PSD-së, Natyra Kuqi, ka thënë se partia e saj është e informuar nga burime të sigurta se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Kosovë (DhSK), Ekaterina Trendafilova.

Takimi sipas saj është zhvilluar në Hotel “Sirius”, larg mediave dhe shoqërisë civile.

“Sipas burimeve të sigurta, ishin në hotel “Sirius”, ka qenë para një ore në një takim të fshehtë me Albin Kurtin. Nuk kanë marrë pjesë as sigurimat e vet, kanë qenë me distancë fizike më të madhe. Masa të shtuara në hotel “Sirius” kemi parë që nga mëngjesi, por nuk e kemi pritur që do të ketë një konfirmim dhe pranim të kësaj gjykate nga Albin Kurti”, ka thënë ajo.

Ky takim, sipas Kuqit, do të thotë se Kurti është pro Gjykatës Speciale.

“Kryeministri Kurti ishte në takim me Trëndafilovën para një ore, le ta përgënjeshtrojë Kurti. Nuk është në interesin e tij as nuk është kundërshtimi i Gjykatës Speciale, por as nuk është paraqitja publike e takimit. Ai po e konfirmon se është pro kësaj gjykate, dhe nuk ka interesim për ta kundërshtuar këtë rehabilitim që po i bëhet luftës së UÇK-së nga kjo gjykatë. Burimet janë të sigurta, ishte takim i mbyllur, i blinduar, pa media”, ka thënë ajo në “Five”.

Kuqi, tutje ka thënë se takimi është skandaloz, për shkak se sipas tij është takim jotransparent që e legjitimon Gjykatën Speciale.

Njëjtë ka deklaruar edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, i cili pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar fshehurazi me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Kosovë (DhSK), Ekaterina Trendafilova.

Ky takim, sipas tij, është bërë për ta normalizuar dhe legjitimuar vizitën e saj në Kosovë.

“Pas mesazhit të qartë që qytetarët ia dhanë Trëndafilovës, që në Kosovë do ta presim veç me protesta, Kurti po përpiqet ta normalizojë atë. Takimi i fshehur larg publikut është përpjekje e dëshpëruar për legjitimim të kësaj vizite. E ka takuar, sepse kjo gjykatë po ia mban gjallë narracionin për luftën”, ka thënë ai.

“Sot qytetarët e shumtë që ishin mobilizuar për protestë, e detyruan Gjykatën që të dorëzohet nga synimi i saj që të bëjë propagandë. Ndërsa, Kurti, përkundër vullnetit qytetar, e paska ngushëlluar atë, duke i garantuar që Qeveria e tij ia njeh legjitimitetin dhe ia pranon vizitat e propagandën”, ka vijuar ai.

Në fund, Molliqaj ka thënë se do t’i tregojnë Kurtit dhe Trëndafilovës që “qytetarët e duan dhe besojnë në luftën e vet çlirimtare”.





Shija e redaktorit

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Osmani: Historia e nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur mbi historinë e nënës Ferdonije Çerkezi, e cila ka humbur katër djemtë e saj dhe bashkëshortin gjatë...

Shqipëria performon më 9 maj në Eurovision

Festivali evropian i këngës "Eurovision" ka publikuar listat me shtetet që do të performojnë në dy gjysmëfinalet e këtij viti, më 7 dhe 9...

Të fundit nga rubrika