MPJ gjermane: Të mos përshkallëzohet situata në Veri, presim kompromise

Gjermania është shprehur e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës

Andrea Sasse, zëvendës-zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane





Pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës dhe tërheqjes së serbëve nga institucionet vendore, ka reaguar Ministria e Jashtme gjermane, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare të problemeve midis dy shteteve fqinje, Kosovë-Serbi, përmes dialogut.

Në një konferencë për media, zëvendëszëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane, Andrea Sasse, ka thënë se Gjermania po shqetësohet për përshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës.

“Jemi shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e situatës”, ka thënë Sasse, teksa theksoi domosdoshmërinë e rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi, shkruan DW.

“E kemi thënë shpesh që këtu se për Ballkanin Perëndimor, por sidomos për raportin mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të largohemi nga vështrimi periodik në humnerën e skadimit të afateve. Sepse edhe ky është një afat i tillë. Tani priten kompromise”.

Ajo ka potencuar se Gjermania u kërkon urgjentisht të dyja palëve që të shmangen nga tensionimi i situatës.

“Apeli ynë urgjent u drejtohet të dyja palëve në konflikt, Kosovës dhe Serbisë, që të përmbahen e të mos e përshkallëzojnë më tej situatën dhe që ta zgjidhin këtë konflikt realisht në dialog të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën”.

Ndryshe, sheshi dhe pjesë të tjera të qytetit të Mitrovicës së Veriut, të premten vonë të katër nëntorit janë ‘stolisur’ me flamuj të Serbisë.

Ky veprim simbolik është ndërmarrë para protestës të thirrur për të dielën nga ana e Listës Serbe, pas shkarkimit të shefit të Policisë së Kosovës për regjionin e Mitrovicës së Veriut.

Lista Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

Pas vendimit të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri. Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Gjuriq ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për rirgjestrimin e automjeteve që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka treguar se deri kur do të zgjasë bojkotimi institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb.

“Këto vendime do të mbesin në fuqi derisa Prishtina vazhdon të mos respektojë të drejtën ndërkombëtare, që i bie të kthejë prapa vendimin për regjistrimin, derisa të miratojë Asociacionin e Komunave”, ka thënë Goran Rakiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën e pesë nëntorit, ka ftuar të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos i braktisin institucionet e Kosovës.

Ai e ka bërë këtë thirrje disa orë pas vendimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, që të largohet nga institucionet e Kosovës.

“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti në thirrjen drejtuar serbëve të Kosovës, duke i ftuar “që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë”.

Ndërkaq, që nga një nëntori, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në tri faza.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Kurti ka thënë se deri më pesë nëntor, autoritetet kanë lëshuar 843 letra qortuese dhe se nuk ka pasur asnjë incident gjatë procesit.

Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kishin ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.

Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e kishte shtyrë zbatimin e vendimit deri më një shtator.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

Të fundit nga rubrika