Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës nuk përjashton mundësinë e një tentative të dytë për formimin e qeverisë në rast se përpjekja e parë dështon.
Sipas tij, mënyra se si është formuluar Kushtetuta e bën pothuajse të pamundur që vendi të shkojë direkt në zgjedhje pa u bërë një përpjekje e dytë për krijimin e ekzekutivit.
Zgjedhjet mund të shpallen vetëm në rast se asnjë subjekt politik nuk është i interesuar për të marrë mandatin pas dështimit të parë.
“Sepse synimi është që të shfrytëzohet çdo mundësi për formim të qeverisë para se vendi të dërgohet përsëri në zgjedhje. Dhe ngjashëm sikurse mandatari i parë, edhe i dyti, sipas Kushtetutës i ka 15 ditë kohë për të siguruar shumicën e nevojshme”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai ka shtuar se vendimi për caktimin e mandatarit të dytë i takon Presidentes së Republikës, e cila duhet të vlerësojë cili person ose subjekt politik ka “gjasat më të mëdha për të formuar qeverinë”.
