Muzeu i Luvrit ka transferuar disa nga xhevahiret më të çmuara në Bankën e Francës, pasi një grabitje gjatë javës së kaluar nxori në pah dobësinë e sigurisë së muzeut të famshëm.
Transferimi i disa sendeve të çmuara nga galeria Apollo e muzeut, shtëpia e xhevahireve të kurorës franceze, u krye të premten nën shoqërimin e policisë sekrete, tha RTL, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Banka e Francës, e cila ruan rezervat e arit të vendit në një kasafortë masive 27 metra nën tokë, është vetëm 500 metra larg Luvrit, në bregun e djathtë të lumit Sena.
Hajdutët vodhën tetë sende të çmuara me vlerë rreth 102 milionë dollarë nga koleksioni i Luvrit më 19 tetor, duke ekspozuar mangësitë e sigurisë ndërsa hynë me forcë në muzeun më të vizituar në botë duke përdorur një vinç për të thyer një dritare në katin e sipërm gjatë orarit të hapjes.