Nagavci i dorëzon Kurtit raportin e fazës së parë për vlerësimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës

Në lidhje me raportin e dorëzuar nga ministrja Nagavci, kryeministri u shpreh se paraqet një bazë të mirë për korrigjimin dhe avancimin e teksteve mësimore

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të enjten e 21 marsit, i ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, raportin e fazës së parë të rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës për klasat I deri IX.

Kreu i Qeverisë, Kurti ka thënë se “rishikimi i teksteve është vendimtar për cilësinë e arsimit dhe edukimit, ku me kërkesë të MAShTI-it ka filluar procesi i rishikimit të 38 teksteve, 21 të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikës”.

“Lënda e gjuhës dhe ajo e matematikës janë vendimtare për formimin e nxënësve dhe për karrierat e tyre në të ardhmen”, ka thënë Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit.

Në lidhje me raportin e dorëzuar nga ministrja Nagavci, kryeministri u shpreh se paraqet një bazë të mirë për korrigjimin dhe avancimin e teksteve mësimore.

“Shpresojmë dhe besojmë se ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe të gjithë atyre që e kuptojnë që ardhmëria e vendit tonë varet nga ngritja e cilësisë së arsimimit dhe të edukimit”, ka vijuar Kurti.

Ndërkaq, Nagavci ka deklaruar se kërkesa për fillimin e këtij procesi ka qenë insistim i MAShTI-it dhe me mbështetjen e BE-së ka përfunduar faza e parë, “ku janë rishikuar tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, ndërsa janë në proces të fillimit të rishikimit tekstet e shkencës” teksa ka shtuar se tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës janë zgjedhur duke pasur parasysh rezultatet e dobëta të testit PISA.

Nagavci ka shtuar se përveçse do të vazhdohet me rishikimin e teksteve të tjera, po ashtu planifikohet që të gjitha këto raporte të ndahen me shtëpitë botuese me autorët e teksteve dhe do të jetë obligim i tyre që t’i përmirësojnë në bazë të gjetjeve të cilat janë bërë.

Këtë e ka bërë të ditur dje edhe Kurti përmes një postimi në Facebook, i cili ka thënë se është finalizuar dosja më shumë se 600 faqe nga rishikimi i gjithsej 38 tekste mësimore të klasave I-IX, për gjuhë dhe matematikë.

Ai ka thënë se ekspertët hartues kanë vlerësuar se 28 tekste e plotësojnë pragun e kalueshmërisë prej 80% por që megjithatë kanë nevojë për përmirësime.

Kurti ka thënë se këto raporte do të ndahen me publikun, shtëpitë botuese dhe me autorët e teksteve.

Kreu i ekzekutivit është shprehur optimist që ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve e ekspertëve të arsimit.

“Raportet do të ndahet me publikun, shtëpitë botuese dhe me autorët e teksteve. Besojmë dhe shpresojmë që ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe të gjithë ata që e kuptojnë që ardhmëria e vendit varet nga ngritja e cilësisë së arsimit dhe edukimit. Rishikimi i teksteve do të vazhdojnë”, ka deklaruar Kurti.

Për këtë pati reagim nga ish-këshilltari i tij, Shkelzen Gashi.

Gashi, përmes një postimi, ka thënë se Kurti “humbi mundësitë për reformë në arsim”.

“Ata që ishin në pushtet para Albin Kurtit e fundosën arsimin në fund të pusit. Albin Kurti e humbi shansen ideale për me reformu arsimin. Sonte për më e mbulu dështimin e tij spektakular në këtë fushë, paska dalë me na hedhë hi syve tu e prezentu një dosje me 600 faqe”, ka shkruar Gashi.

 

Ish-këshilltari i Kurtit i drejtohet atij: Ke dështuar në reformën për arsim

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika