Në ditën e dytë të vizitës në Hagë, Haxhiu takon Krasniqin e Haradinajn

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten e 31 marsit, në ditën e dytë të vizitës në Hagë, do të takojë ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj.

Ajo të martën e 29 marsit është nisur drejt Hagës, ku do të takohet me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen në Hagë.

Të mërkurën e 30 marsit, Haxhiu ishte takuar me ish-komandantin e UÇK-së, Rexhep Selimin, ish-kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, dhe ish-eprorin e UÇK-së, Pjetër Shala.

Ndonëse, vullneti i saj qëndron që të takohet me të gjithë ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po akuzohen në Hagë, ajo nuk është pranuar për takim nga ish-presidenti Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse Gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, ishte deklaruar ministrja Haxhiu për RTV Dukagjini, para nisjes.

Pjesë e këtij delegacioni janë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi dhe deputeti nga Lëvizja Përparimtare e Romëve në Kosovë, Erxhan Galushi.

Takimin e Haxhiut me Thaçin e Veselin e kishte vënë në pikëpyetje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një emision televiziv kishte shprehur dyshime nëse dyshja do të pranojë takimin me Haxhiun.

Kjo sepse, të njëjtit, nuk e kishin pranuar takimin me zëvendësminsitrin, Blerim Sallahu.

“Shpresoj se do të pranojnë ta takojnë ministren”, kishte thënë Kurti.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka quajtur të pakuptimtë dhe të padrejtë kërkesën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për takimin me ish-presidentin Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Haxhiu, të martën e 29 marsit do të udhëtojë drejt Hagës, atje pritet të takohet me ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-komandantin, Rexhep Selimi.

“Albulena Haxhiu para se të niset në Hagë do të duhej, fillimisht, t’i kërkonte publikisht falje Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që i quajti kriminel. Nëse nuk kërkon falje publike kërkesa për t’i takuar liderët e UÇK-së është e pakuptimtë dhe e padrejtë”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Kësaj kërkese i është bashkuar edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, i cili teksa ka kujtuar deklaratat e ministres Haxhiu, ka thënë se, e njëjtat, fillimisht, duhet t’iu kërkojë falje krerëve të UÇK-së.

“Haxhiu dhe Vetëvendosja së pari duhet të kërkojnë falje për atë çfarë kanë thënë për zotin Thaçi dhe Veseli. Mos të harrojmë që Albin Kurti më herët thoshte ‘Hashim shko në Hagë’, e tash po bënë gjoja se po do t’i mbrojë”, është shprehur Lushtaku për EO.

Ndryshe, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të cilët gjenden në Hagë, po akuzohen se, të njëjtit, kanë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020.

Ata po akuzohen se në mes të marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999, kishin kryer krime të luftës kundër njerëzimit, duke ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i keqtrajtuar, torturuar dhe zhdukur.

“Ndër këta kundërshtarë, përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’)”, thuhet në aktakuzë.

Sipas kësaj aktakuze, “ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”.

Ndryshe, Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë.

E njëjta, vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika