Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se shpreson të “ulë gradualisht” varësinë e Izraelit nga ndihma ushtarake e Shteteve të Bashkuara gjatë dekadës së ardhshme.
Në një intervistë të publikuar të premten, Netanyahu tha se Izraeli nuk duhet të mbështetet në ndihmë të huaj ushtarake, megjithëse deri tani nuk kishte dhënë një afat të qartë se kur vendi do të bëhej plotësisht i pavarur nga SHBA-ja, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Dua ta ulim ndihmën ushtarake gjatë 10 viteve të ardhshme”, i tha Netanyahu revistës The Economist. I pyetur nëse kjo nënkupton një ulje “deri në zero”, ai u përgjigj: “Po”.
Netanyahu tha se gjatë një vizite të fundit i kishte thënë presidentit amerikan Donald Trump se Izraeli e vlerëson “jashtëzakonisht shumë” ndihmën ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë ndër vite, por theksoi se vendi tashmë “ka ardhur në moshë” dhe ka zhvilluar kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake dhe teknologjike.
Në dhjetor, Netanyahu deklaroi se Izraeli do të investojë rreth 350 miliardë shekelë (rreth 110 miliardë dollarë) për zhvillimin e një industrie të pavarur të armatimit, me synimin për të ulur varësinë nga vendet e tjera.
Në vitin 2016, qeveritë e SHBA-së dhe Izraelit nënshkruan një memorandum mirëkuptimi 10-vjeçar, i cili zgjat deri në shtator të vitit 2028 dhe parashikon 38 miliardë dollarë ndihmë ushtarake amerikane për Izraelin. Nga kjo shumë, 33 miliardë dollarë janë grante për blerjen e pajisjeve ushtarake dhe 5 miliardë dollarë janë të dedikuara për sistemet e mbrojtjes raketore.
Ndërkohë, eksportet izraelite të mbrojtjes u rritën me 13 për qind vitin e kaluar, me kontrata të mëdha të nënshkruara për teknologjinë ushtarake izraelite, përfshirë sistemet e avancuara shumë-shtresore të mbrojtjes ajrore.