Netanyahu thotë se nuk do të largohet nga politika në këmbim të faljes në gjyqin për korrupsion

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar të dielën se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga jeta politike, edhe nëse i jepet falja presidenciale për çështjet e korrupsionit që po përballet, dhe po ashtu se nuk është i interesuar për një marrëveshje me Prokurorinë.

Deklaratat e tij u bënë gjatë një konference të përbashkët për media në Jerusalem me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Në fund të konferencës, Netanyahu u pyet nëse do të pranonte të largohej nga jeta publike në këmbim të një faljeje nga presidenti Isaac Herzog, kërkesë të cilën e ka paraqitur zyrtarisht javën e kaluar.

“Jo”, u përgjigj kryeministri prerazi.

I pyetur në vijimësi nëse ishte i hapur për një marrëveshje me drejtësinë, Netanyahu përsëri u përgjigj: “Jo”.

Ai shtoi me ironi se kundërshtarët e tij “janë shumë të interesuar për të ardhmen time politike”, duke thënë se vetëm votuesit do të vendosin për të ardhmen e tij.

Pastaj, Netanyahu e zhvendosi fokusin te marrëdhëniet me Gjermaninë, të cilat i përshkroi si historikisht të rëndësishme dhe në rritje.

Netanyahu përballet me një sërë akuzash, përfshirë një rast ryshfeti dhe disa raste të mashtrimit e shkeljes së besimit publik. Prokuroria pretendon se ai ka manipuluar media dhe ka pranuar dhurata të paligjshme në këmbim të favoreve shtetërore.

Netanyahu vazhdon të mohojë të gjitha akuzat, duke i cilësuar si “grusht shteti politik” të organizuar nga policia dhe prokuroria.

Procesi gjyqësor ndaj tij ka nisur në vitin 2020, ndërsa hetimet kanë zgjatur për vite me radhë. Ekspertët vlerësojnë se gjyqi mund të zgjasë edhe disa vite të tjera nëse nuk ndërpritet.

Presidenti Herzog ende nuk ka marrë vendim mbi kërkesën për falje, duke paralajmëruar se vendimi do të varet vetëm nga “e mira e shtetit”.

Sipas një sondazhi të fundit të Zman Yisrael, shumica e qytetarëve kundërshtojnë faljen e Netanyahu-t pa pranimin e fajësisë apo pendesë, 53.2% janë kundër, ndërsa 42.4% janë pro.

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika