Nga Markale në Mitrovicë e Podujevë: Krimet ndaj civilëve nuk harrohen, përderisa në Serbi glorifikimi i Mlladiqit vazhdon

Në 31-vjetorin e masakrës në tregun Markale të Sarajevës, është rikthyer në vëmendje lidhja mes krimeve të kryera ndaj civilëve gjatë luftërave në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, si dhe glorifikimi i vazhdueshëm në Serbi i personave të dënuar për krime lufte.

Në një shkrim të publikuar në Dukagjini, Kushtrim Gara ka kujtuar viktimat e Markales, por edhe civilët e vrarë në tregjet e Mitrovicës dhe Podujevës më 13 mars 1999.

Më 28 gusht 1995, një predhë e shkrepur nga pozicionet e Ushtrisë së Republika Sërpska goditi tregun Markale në Sarajevë, duke vrarë 43 civilë dhe plagosur së paku 70 të tjerë. Ky ishte sulmi i dytë ndaj Markales, pas atij të 5 shkurtit 1994, kur ishin vrarë 68 persona.

Në krye të Ushtrisë së Republika Sërpska në atë periudhë ishte Ratko Mlladiq, i cili më vonë u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë fushatën e terrorit kundër popullsisë civile të Sarajevës.

Në shkrim tërhiqet një paralele edhe me krimet e kryera ndaj civilëve në Kosovë më pak se katër vjet më vonë.

Më 13 mars 1999, në ditë tregu, civilët u goditën pothuajse në të njëjtën kohë në Mitrovicë dhe Podujevë.

Në tregun e Mitrovicës, nga granatimet e forcave serbe u vranë shtatë civilë dhe u plagosën rëndë mbi 100 persona, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.

Viktimat ishin Abaz Mecinaj, Ahmet Strana, Elizabeta Hasani, Ragip Bajrami, Rrahim Peci, Sevdije Selani dhe Valdete Strana.

Një nga historitë e veçuara është ajo e Ahmet Stranës, i cili ishte plagosur rëndë gjatë sulmit dhe kishte vdekur nga plagët një muaj e dhjetë ditë më vonë. Familja e tij, megjithatë, priti 23 vjet për gjetjen e mbetjeve mortore.

Mbetjet e Stranës, së bashku me ato të mikut të tij Vehbi Zasella, u gjetën në varrezat në veri të Mitrovicës. Më 2 shtator 2022, Strana u rivarros në Mitrovicë, duke iu kthyer familjes pas më shumë se dy dekadash.

Po më 13 mars 1999, dy shpërthime goditën Podujevën, njëri pranë tregut të pemëve dhe perimeve dhe tjetri në qendër të qytetit, pranë ndërtesës së postës.

Atje u vranë Sadik Zhegrova, Nexhat Miftari, Besnik Shabani, Sahit Azemi dhe Arif Gashi, ndërsa shumë persona të tjerë u plagosën.

Sipas shkrimit, Besnik Shabani u vra nga snajperët serbë teksa përpiqej t’u ndihmonte të plagosurve, ndërsa Sahit Azemi dhe Arif Gashi vdiqën më vonë në Spitalin e Prishtinës si pasojë e plagëve.

Autori vlerëson se nga Markale në Sarajevë deri te tregjet e Mitrovicës dhe Podujevës shfaqet i njëjti realitet tragjik – goditja e civilëve në hapësira të jetës së përditshme.

Në shkrim kritikohet gjithashtu glorifikimi i Ratko Mlladiqit në Serbi, pavarësisht dënimit të tij me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare.

“Viktimat meritojnë kujtesë dhe nderim. Krimet nuk guxojnë të mohohen apo glorifikohen”, është mesazhi përmbyllës i shkrimit, me nderim për viktimat e Markales, Mitrovicës dhe Podujevës.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika