(E përditësuar) – Nagavci: LVV-ja do ta votojë ndryshimin e Ligjit për Specialen, nëse e mbështesin edhe partitë që e krijuan atë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se VV-ja do ta mbështesë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo ka theksuar se nëse partitë që e mbështetën krijimin e Speciales në vitin 2015 sot kërkojnë ndryshimin e ligjit, LVV-ja do ta mbështesë nismën.
Nagavci ka thënë se, sipas saj, ndryshimi i ligjit nuk i liron ish-krerët e UÇK-së, nuk i përshpejton aktgjykimet dhe nuk e zëvendëson procesin e apelit.
Ajo ka thënë se VV-ja do ta mbështesë këtë nismë jo për shkak të ndryshimit të qëndrimit të saj, por me arsyetimin se një vendim që është konsideruar i gabuar nuk duhet të përdoret si arsye për të penguar korrigjimin e tij.
“Jo sepse kemi ndryshuar qëndrimin tonë, por sepse bindjen se një vendim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm nuk mund ta përdorim si arsye për të penguar korrigjimin e tij që ende mund të korrigjohet”, ka thënë ajo.
Nagavci ka kërkuar një strategji shtetërore për trajtimin e këtyre çështjeve, duke përfshirë angazhimin juridik dhe diplomatik.
“Apeli duhet të trajtohet me seriozitetin e një beteje të madhe juridike, me prova, argumente dhe dijen më të mirë që mund të vihet në shërbim të tij. Krahas kësaj, duhet një përpjekje e madhe diplomatike”, ka thënë ajo.
Gruda: Projektligji për Specialen nuk cenon marrëveshjen me BE-në dhe detyrimet ndërkombëtare
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë në Kuvendin e Kosovës se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk cenon detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë në lidhje me themelimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Gjatë prezantimit të Projektligjit në seancën e Kuvendit, Gruda ka theksuar se ndryshimet e propozuara nuk prekin amendamentin kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe as marrëveshjet ndërkombëtare të lidhura me këtë proces.
“Ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë përmes amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të Specializuara, marrëveshjes që kemi me Bashkimin Evropian, letërkëmbimit të ratifikuar në Kuvend dhe as marrëveshjes që kemi me Holandën”, ka deklaruar Gruda.
Gruda ka theksuar se ndryshimet e propozuara nuk ia heqin Speciales të drejtën për të vazhduar punën, por synojnë t’ia kufizojnë një pjesë të juridiksionit, përfshirë atë që lidhet me krimet e luftës.
Gruda ka thënë se ndryshimet nuk nënkuptojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe se, sipas tij, nuk prekin marrëveshjen e ratifikuar me BE-në.
“Ne jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare. Ne e kemi përmbushur çdo premtim që kemi dhënë për të hetuar raportin e Dick Martyt, nuk po e ndryshojmë Kushtetutën, nuk po e prishim marrëveshjen me BE-në”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë gjithashtu se Projektligji parasheh mundësinë që, në rast se do të ketë një shkallë të tretë të gjykimit, ajo të zhvillohet në Kosovë.
Gruda, ka deklaruar se akuzat që, sipas tij, synojnë ta paraqesin UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale janë “re e zezë mbi Kosovën”.
“Nuk mund të lejojmë të komprometohet historia e Kosovës dhe lufta jonë çlirimtare”, ka theksuar ai.
Nis seanca për Projektligjin e Speciales
10:15 – Ka nisur seanca e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në sallën e Kuvendit janë të pranishëm 101 deputetë.
Seanca ishte paraparë të niste në orën 09:00, por fillimi i saj u shty për më shumë se një orë.