Ka nisur takimi i presidentes së vendit, Vjosa Osmani, me liderët e partive politike lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
Në këtë takim po marrin pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i Listës Guxo, Faton Peci dhe e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.
Kujtojmë se Osmani, i ka ftuar në takim kryetarët e partive politike, pas dështimit të mandatarit, Glauk Konjufca, që t’i sigurojë 61 votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse as në tentimin e dytë nuk zgjidhet Qeveria, presidentja e Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre teksa zgjedhjet e reja më së largu duhet të mbahen në janar.
Kuvendi i Kosovës dështoi të mërkurën për të formuar qeverinë e re me kryeministër Glauk Konjufcën. Kjo pasi pro formimit të Qeverisë sipas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.
Partitë që deri tash ishin në opozitë – PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja ishin kundër. Nisma abstenoi.
Po ashtu edhe pas dështimit të dytë për Qeverinë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.