Nuk arrihet marrëveshje për targat në Bruksel

Besnik Bislimi deklaron se nuk ka arritur një marrëveshje për targat, pasi ka zero gatishmëri nga pala serbe për të gjetur një zgjidhje të përhershme

Besnik Bislimi, zëvendës- kryeministër për Integrim Evropian,, Zhvilllim dhe Dialog

Ka përfunduar takimi në Bruskel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave dhe zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.

Kryenegociatori i Kosovës, zv.kryeministri i Kosovës dhe i ngarkuari me dialog, Besnik Bislimi, në një konferencë për media tha se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje pasi, sipas tij, ka zero gatishmëri nga pala serbe për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

”Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, deklaroi Bislimi.

Deklaratat e Bislimit kanë ardhur pasi ai është takuar me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.

”Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësoj sikurse Serbia”, theksoi Bislimi.

Pas fillimit të takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se po përgatitet terreni për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.

Mirosllav Lajçak

Megjithatë, ai ishte shprehur optimist për potencialitetin e një marrëveshje, kur shkroi status në Twitter.

”Takimi i sotëm i kryenegociatorëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në rrugë të mbarë”, deklaroi ai.

”Ne kemi një agjendë të plotë të çështjeve aktuale, duke përfshirë targat, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe përgatitjen e terrenit për një takim të ardhshëm të nivelit të lartë”.

Takimi raportohet se ka zgjatur rreth dy orë dhe temat kryesore të diskutuara, përveç çështjes së targave, ishin edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe çështja e personave të pagjetur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraprakisht pati thënë se baza e çfarëdo marrëveshjeje për targat duhet të ketë një parim elementar – reciprocitetin.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës me letra ngjitëse të bardha mbulohen simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, duhet të zëvendësohet me një marrëveshje përfundimtare dhe afati i fundit ishte sot, deri më 21 prill.

Marrëveshja në fjalë ishte arritur me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur masa reciproke ndaj Serbisë lidhur me targat dhe kjo rrjedhimisht ishte arsyeja që serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan për dy javë rrugët për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ilustrim

Duhet theksuar se më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës veturat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese.

Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve që nga viti 2011.

Deri më tani janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.

Çështja e targave – kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen për ‘’mos’’ ujdi

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika