Objektet në Prishtinë që u përdorën gjatë luftës për dhunime seksuale

Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, disa prej objekteve kryesore janë përdorur gjatë luftës së fundit nga ushtria e policia serbe për të kryer shumë krime, mes tyre edhe dhunime seksuale. Dy prej objekteve janë Hoteli Grand, si dhe Fakulteti Juridik. Punonjës të Grandit kanë rrëfyer për Televizionin se si kur janë kthyer në punë pas luftës, kanë gjetur shumë dëshmi të këtyre krimeve

Pamje nga bodrumet e Hotel "Grand"

Këto hapësira të bodrumeve të hotelit Grand, i kthejnë kujtime të rënda, Isa Rexhës.

Pamjet e bodrumeve në Hotelin “Grand”

Si punëtor i Grandit prej më shumë se katër dekadash, Rexha rrëfen se i ka rënë të punojë edhe në një kohë të vështirë.

Pamjet në bodrume

Në fund të viteve të 90-ta, hoteli u bë strehë e policisë dhe ushtrisë së Serbisë.

Në këto hapësira, Rexha tregon se dyshohet se u kryen krime të rënda, mes tyre edhe dhunime seksuale.

“Dua të tregoj se kam punuar deri në vitin 1997 në Grand. Atëherë kanë fillu me ardhë paramilitarët këtu në Grand, policia dhe ushtria, të gjitha komandat kanë qenë këtu në Grand, së bashku Policia Ushtria dhe Paramilitarët. Dyshohet se është bërë dhunimi, por përveç dhunimit, dyshohet se është bërë djegie e njerëzve”, ka thënë drejtori i Hotel Grandit, Isa Rexha.

Me hyrjen e NATO-s në Kosovë, Rexha që tash drejton hotelin më të famshëm të Prishtinës, tregon se u kthye në vendin e punës.

E aty u përball me disa prej provave të krimeve.

“Në atë kohë ne e kemi thirrë menjëherë me 28 qershor 1999, KFOR-in edhe UNMIK-un, e kanë marrë hirin, i kanë marrë disa garderoba të cilat janë gjetur këtu pari, i kanë marrë për mostra, mirëpo deri më sot kurrë nuk na kanë lajmëruar për çka bëhet fjalë”, shtoi Rexha.

Isa Rexha, drejtor i Hotelit “Grand”

Se në Hotelin Grand u kryen dhunimeve, e thotë edhe Behgjet Shala, që udhëheq Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Epiqendër për Prishtinën ka qenë hotel Grandi, për faktin që në bodrumet e hotel Grandit ka qenë e vendosur ajo loja me birila dhe ka qenë një kazino ku është lujtë bixhoz e të cilën e ka kontrolluar udhëheqësi i tigrave të Arkanit, krimineli që e kanë vra në Beograd, Zhelko Razhnatoviç – Arkan dhe aty dyshohet se kanë dhunuar femra”, ka thënë Behgjet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Behgjet Shala

Mirëpo, Hoteli Grand nuk ishte vendi i vetëm në Prishtinë ku u kryen krime të tilla.

Fakulteti Juridik është një objekt tjetër.

“Pas luftës, pas çlirimit nga okupatori serb, janë gjetë në brendësi të Fakultetit Juridik, në katin e parë dhe në bodrum janë gjetur gjësende të viktimave të këtij krimi siç janë fustanet dhe këto veshjet e brendshme e të tjera”, u shpreh profesori, Ismet Salihu.

Profesori Ismet Salihu vlerëson se shteti ka bërë pak në dokumentimin e këtyre krimeve.

“Në përgjithësi edhe llojet e tjera të krimeve nuk janë hulumtu dhe nuk janë dokumentu sa duhet. Këtë po e them për shkak se edhe unë kam punu rreth 6 vjet në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. E posaçërisht, këto krimet, dhunimet seksuale, për shkak të natyrës së tyre janë shumë më sensitive shumë më komplekse për me i hulumtu”, shtoi Salihu.

Ismet Salihu, profesor

Prej më shumë se 5 vitesh, në Kosovë ekziston Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës.

Prej themelimit të këtij komisioni, 1715 personave u është njohur ky status.

Mirëpo numri real vlerësohet të jetë shumë më i lartë.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika